Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
04 shkurt 2026
Legjenda e Manchester Unitedit, Wayne Rooney, ka veçuar dy transferimet që, sipas tij, kanë rezultuar më të suksesshmet e këtij sezoni në Premier League, duke theksuar ndikimin e menjëhershëm që kanë pasur te skuadrat e tyre.
Edhe pse afati kalimtar dimëror u mbyll të hënën në mbrëmje me disa lëvizje të fundit mes klubeve, Rooney vlerëson se dy transferime të realizuara më herët kanë dominuar këtë sezon për nga rëndësia dhe performanca. Në emisionin e tij “The Wayne Rooney Show”, ai deklaroi se Hugo Ekitike dhe Granit Xhaka janë dy prej lëvizjeve më të goditura në elitën e futbollit anglez këtë edicion.
Ekitike iu bashkua Liverpoolit nga Eintracht Frankfurt gjatë merkatos së verës së kaluar, ndërsa Xhaka kaloi te Sunderlandi nga Bayer Leverkuseni. Sipas Rooneyt, të dy futbollistët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm që nga fillimi i kampionatit.
“Ekitike dhe Granit Xhaka te Sunderlandi kanë qenë ndoshta dy transferimet më të mira në Premier League këtë sezon”, u shpreh Rooney.
Xhaka, i cili mban edhe shiritin e kapitenit te Sunderlandi, ka treguar stabilitet dhe lidership në mesfushë, ndërsa Ekitike është shndërruar në një nga pikat kyçe të sulmit të Liverpoolit, duke qenë vendimtar në disa ndeshje.
Vlerësimi i Rooneyt vjen në një periudhë kur shumë prej transferimeve të bujshme të verës dhe dimrit janë në qendër të analizave për ndikimin e tyre në skuadrat përkatëse, por sipas ish-sulmuesit të Unitedit, Ekitike dhe Xhaka janë emrat që kanë spikatur më së shumti deri tani në Premier League.

















