Kanë vazhduar reshjet e borës pa ndërprerje në veri të Shqipërisë.
Policia e Shkodrës ka njoftuar se një shofer i një veture ka mbetur i bllokuar në aksin rrugor Theth-Bogë, për të cilin u desh ndërhyrja e policisë rrugore dhe borëpastrueses.
“Shërbimet e Policisë Rrugore në bashkëpunim me borëpastrueset i kanë shkuar në ndihmë një drejtuesi mjeti nga Saranda i cili kishte mbetur i bllokuar në aksin rrugor Theth-Bogë, dhe kishte kërkuar ndihmë te 112, pasi duke qarkulluar me goma verore e kishte të pamundur të vijonte lëvizjen.
Shërbimet e Policisë Rrugore kanë rritur prezencën në akset rrugore urbane e rurale për shkak të motit te keq me reshje shiu dhe dëbore. Aktualisht në akset rrugore Tamarë – Selcë – Vermosh; Bogë – Qafë Thorë – Theth; dhe Pukë – Fushë Arëz – Qafë Mali, ka prezencë të dëborës pasi vijojnë pa ndërprerje reshjet e dëborës”, shkruhet në njoftimin e Policisë.
Policia ka njoftuar se borëpastrueset janë në terren dhe vijojnë punën për pastrimin e rrugëve nga bora dhe për shpërndarjen e kripës.
Ndërkaq, policia rrugore iu ka bërë apel shoferëve që të bëjnë kujdes në lëvizje, të respektojnë sinjalistikën rrugore të reduktojnë shpejtësinë, të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore; Në rast nevoje për ndihmë, telefononi në numrin 112.