Reagon VLEN pas akuzave të BDI-së: “Fytyra e kalbur e një partie që po e kap paniku”

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

05 shtator 2025

Lëvizja VLEN ka reaguar ashpër pas zhvillimeve të fundit në skenën politike të Maqedonisë së Veriut dhe akuzave të vazhdueshme që, sipas tyre, po i vijnë nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Në një postim të bërë nga Latif Arifi, një nga koordinatorët e kabinetit të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, BDI akuzohet për propagandë të organizuar dhe fushatë shpifëse kundër VLEN-it.

“Ngjarjet e fundit e nxjerrin në shesh fytyrën e kalbur të BDI-së”, shkruan Arifi, duke shtuar se bëhet fjalë për një propagandë të orkestruar nga “gebelsi i saj në azil”, e drejtuar nga bashkëpunëtorët e tij dhe e përforcuar nga, siç thotë ai, “makineria e Ramës dhe megafonat e tij në Tiranë dhe Shkup”.

Arifi akuzon BDI-në për përhapje të inskenimeve, provokimeve dhe shpifjeve, si dhe për nxitje të urrejtjes ndëretnike përmes manipulimit të deklaratave publike. Sipas tij, një nga shembujt më të fundit është përdorimi jashtë kontekstit i deklaratave të shefit të shtabit të VLEN-it, Adnan Azizi, nga një gazetar që, sipas Arifit, “luan rolin e zëdhënësit të BDI-së”.

“Ata që për 20 vjet blenë vota dhe mbajtën pushtetin me shantazhe, sot guxojnë të akuzojnë VLEN-in”, deklaron Arifi. Ai e përshkruan situatën si një shenjë paniku nga ana e BDI-së dhe shprehet i bindur se shqiptarët tashmë kanë kuptuar se kush ua ka marrë zërin dhe kush po e rikthen dinjitetin.

Në fund të reagimit të tij, Arifi thekson se VLEN nuk po lufton për pushtet, por për dinjitetin e shqiptarëve dhe se “fuqia e VLEN do të shihet shpejt, në çdo votë dhe në çdo zemër shqiptari”.

Scroll to Top