Jusuf Thaci

Reagon ish-zv/ministri i LVV-së: Hykmete Bajrami e ka denoncuar publikisht projektin e digjitalizimit mbi 5 milionë euro

Zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, ka hedhur akuza të rënda ndaj ish-ministres së Arsimit, Hykmete Bajrami, lidhur me projektin prej 5.6 milionë euro për platformën e digjitalizimit të arsimit në Kosovë.

Në lidhje me këtë çështje, ish-zëvendësministri i MASHTI-t, Jusuf Thaçi nga Lëvizja Vetëvendosje, ka bërë një sqarim publik.

Thaçi shpjegoi se platforma është krijuar gjatë një periudhe emergjente në fillimin e pandemisë COVID-19, kur MASHTI kërkonte një zgjidhje për mësimin në distancë.

Megjithatë, ai theksoi se stafi i MASHTI-t nuk kishte dokumentacion për projektin, ndërsa kompania zbatuese nuk kishte ofruar detaje të plota për të.

Pas një analize të platformës, Thaçi tha se ajo rezultoi e papërdorshme për qëllimet e mësimit në distancë, megjithëse për të ishin shpenzuar mbi 5 milionë euro.

Gjithashtu, ai përmendi se ekzistonte një “pjesë e dytë” e projektit, me një kosto të parashikuar prej 4-5 milionë eurosh, e cila ishte në procedurë miratimi.

Sipas tij, kjo pjesë u ndal falë ndërhyrjes së tij dhe ministres Bajrami, duke kursyer buxhetin e shtetit.

Thaçi theksoi se ish-ministrja Bajrami ka denoncuar publikisht këtë projekt gjatë mandatit të saj dhe se ai ishte përfunduar para vitit 2020, kur ajo nuk mbante këtë pozicion.

“Zëvendësministër në MASHTI në përiudhën 13 shkurt deri 3 qershor 2020 P.S.: Po bëhen gati një vit prej se jam tërhequr nga paraqitjet publike dhe kështu do të vazhdoj edhe pas këtij sqarimi publik, të cilin u detyrova ta bëj për shkak se, siç e thash në fillim, kam qenë i përfshirë edhe personalisht në këtë problematikë. Pra, u detyrova ta ofroj për publikun një të vërtetë që e di, pa pasur qëllim as ta mbroj e as ta akuzoj dikë”, shkroi Thaçi. /Telegrafi/

Scroll to Top