Rasti i parë në Kosovë i bashkimit të dënimeve për krime lufte, Zoran Vukotiq dënohet me 19 vite burg

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

15 gusht 2025

Zoran Vukotiq shënon rastin e parë në Kosovë të bashkimit të dënimeve për krime lufte. Përballë disa aktakuzave për krime lufte, Vukotiq është dënuar për tri vepra – krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë.

Për dy dënimet e formës së prerë, Gjykata Themelore ka vendosur një dënim të bashkuar prej 19 vitesh burg, ndërsa pritet që edhe rasti për vrasjen e një 13-vjeçari t’i bashkohet këtij procesi të unifikimit të dënimeve, i cili ende po vazhdon.

Gjykata themelore në Prishtinë për herë të parë ka bërë bashkimin e dënimeve për krime lufte

Zoran Vukotiq ka pasur pesë aktakuza të ngritura për krime lufte. Gjykata i ka shqiptuar dy dënime të formës së prerë, dhunim seksual gjatë luftës, maltretim dhe rrahje të të burgosurve në burgun e Smrekonicës, dënim me 6 vite e gjashtë muaj. Ndërsa me 15 vite burg është dënuar për vrasjen e 13-vjeçarit Burim Muli, gjatë kohës së luftës, dënim që pritet të bëhet i plotfuqishëm

Këto krime gjatë luftës, Vukotiq i ka kryer në territorin e Vushtrrisë.

Për dënimet e formës së prerë, 6 dhe 13 vite burg Vukotiqit, Gjykata në Prishtinë ia ka bërë bashkimin e dënimeve dhe e ka unifikuar në 19 vite burg, me kërkesë të mbrojtjes së tij. Për unifikimin e këtyre dënimeve, Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka konfirmuar RTK-së.

“Gjykata Themelore në Prishtinë ka bashkuar dy dënimet e formës së prerë ndaj Z.V., i shpallur fajtor për krime lufte kundër popullsisë civile, duke caktuar një dënim unik prej 19 vitesh burg. Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e mbrojtësit, ndërsa Gjykata Supreme e ka hedhur si të palejueshme ankesën e të dënuarit. Ky është rasti i parë në gjykatë ku kërkohet bashkimi i dënimeve për këtë vepër penale”, thuhet në deklaratë.

Në proceset gjyqësore, pas shpalljes së vendimeve reagime të shumta vijnë nga viktimat, familjarët e të vrarëve e të prekurit e tjerë, sidomos për dënimin maksimal 15 vite që shqiptohet nga gjykata

Juristja e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Fatmire Haliti, e vlerëson si të rëndësishëm nxjerrjen e këtij vendimi që sipas saj hap rrugë tjetër në trajtimin e këtyre rasteve në një nivel tjetër që do të jetë si model për rastet tjera.

Scroll to Top