Rasti Balluku, nis seanca në Gjykatën Kushtetuese, GJKKO nuk mer pjesë

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

22 janar 2026

Ka nisur në këto momente seanca në Gjykatën Kushtetuese, ku gjyqtarët po lexojnë objektin e kërkesës së kryeministrit Edi Rama.

Kryeministri kërkon zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës mes Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar nga ana tjetër. Kërkesa lidhet me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave, në veçanti të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Kryeministri kërkon shfuqizimin e vendimeve nr. 118 dhe 120, të Gjykatës së Posaçme, për pjesët që kanë vendosur masën ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës, duke argumentuar se këto akte cenojnë garancinë e imunitetit të anëtarëve të Qeverisë, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve që propozojnë dhe emërojnë ministrat.

Gjithashtu, kërkohet pezullimi i efekteve të vendimeve deri në përfundimin e shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese, si dhe interpretimi i nenit 103 të Kushtetutës, sipas të cilit anëtarët e Këshillit të Ministrave përfitojnë të gjitha garancitë procedurale të një deputeti, jo vetëm sipas Kushtetutës, por edhe ligjit penal.

Seanca vazhdon dhe pritet që gjykata të japë vendimin e saj pas shqyrtimit të argumenteve të të dyja palëve

Seanca në Gjykatën Kushtetuese nisi në orën 10:00, me praninë e përfaqësuesve të institucioneve kryesore.

Prokuroria e Posaçme përfaqësohet nga prokurorët Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, të shoqëruar nga këshilltari Fabian Zhilla.

Qeverinë e përfaqëson Herald Jonuzaj, ndërsa Institucioni i Presidentit ka dërguar si përfaqësues këshilltarin Ilir Rusmali, shefin e kabinetit Hermioni Braho dhe Drejtoren e Përgjithshme Eriola Shia.

Kuvendi i Shqipërisë do të ketë në seancë drejtoreshën juridike Mimoza Arbi si përfaqësuese.

Seanca vazhdon me shqyrtimin e kërkesës së kryeministrit Edi Rama, ndërsa pritet që të dëgjohen argumentet e të gjitha palëve.

Scroll to Top