Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
19 dhjetor 2025
Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se platforma e rrjetit social TikTok do të rikthehet në funksion në Shqipëri, pas arritjes së një marrëveshjeje bashkëpunimi mes qeverisë dhe kompanisë.
Në një intervistë për Politico, Rama tha se autoritetet shqiptare kanë finalizuar një partneritet me TikTok dhe se në periudhën në vijim do të prezantohen publikisht masat e reja mbrojtëse që do të shoqërojnë rikthimin e platformës.
“Jemi të kënaqur me rezultatin. Partneriteti është arritur dhe shpresoj që në javët ose muajt e ardhshëm t’ia prezantojmë planin qytetarëve shqiptarë, ashtu siç e premtuam”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se kishte pritur një reagim më të ashpër nga TikTok pas vendimit fillestar për ndalimin e platformës, por sipas tij, qëndrimi i përfaqësuesve të kompanisë ishte konstruktiv dhe bashkëpunues. Rama shtoi se gjatë takimeve të zhvilluara, drejtuesit e TikTok kanë treguar gatishmëri për të dëgjuar dhe adresuar shqetësimet e ngritura nga pala shqiptare.

















