Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
21 nentor 2025
Kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë vendimin e SPAK për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra e ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës, si dhe nga posti i zëvendëskryeministres. Nga konferenca e përbashkët me komisioneren për Zgjerim Marta Kos, Rama deklaroi se qeveria mbetet e vendosur të mbështesë pavarësinë e gjyqësorit, të cilën e quajti “shkëputje historike nga e kaluara”.
Megjithatë, kreu i qeverisë nënvizoi se vendimi për pezullimin e Ballukut përbën një ndërhyrje të papranueshme në pavarësinë e ekzekutivit, ndaj qeveria do ta çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Rama theksoi se pavarësia e drejtësisë është parakusht për çdo vendim politik, por sipas tij, ky rast përfaqëson “dobësitë e një pushteti të ri dhe reflekse antidemokratike”.
Ai e cilësoi situatën “unikale në historinë e Evropës”, duke vënë në dukje se asnjëherë më parë një prokuror dhe një gjykatës nuk kanë marrë kompetencat e kryeministrit, presidentit dhe parlamentit për të pezulluar një anëtar qeverie. Sipas tij, ky vendim përbën një “cenim të drejtpërdrejtë të funksionimit të pushtetit ekzekutiv”.
Rama u shpreh se qeveria nuk do të përgjigjet me “arbitraritet politik apo retorikë”, por do të vazhdojë me “durim strategjik”, duke respektuar vendimin e gjykatës dhe duke kërkuar vetëm zgjidhje kushtetuese. Ai përsëriti se mbrojtja e pavarësisë së drejtësisë mbetet prioritet absolut i qeverisë, edhe në situata që i cilësoi “flagrante”.
Kryeministri sqaroi se deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Shqipëria ndodhet përkohësisht pa zëvendëskryeministër dhe pa një ministër funksional të Infrastrukturës dhe Energjetikës. “Këta jemi ne, ky jam unë”, tha Rama, duke theksuar se qëllimi i tij mbetet integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe garantimi i një sistemi drejtësie të pavarur dhe të qëndrueshëm.

















