Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
22 dhjetor 2025
Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të hënë, më 22 dhjetor, në aktivitetin “Me fermerët në Shqipërinë 2030”, ku prezantoi mekanizmat praktikë për mbështetjen e bujqësisë dhe përgatitjen e sektorit për standardet e Bashkimit Europian.
Rama njoftoi rritjen e mbështetjes direkte për bujqësinë deri në 100 milionë euro, duke garantuar se çdo projekt i duhur do të financohet. Ai theksoi përdorimin e platformës Euro Agro Albania si një instrument koordinimi dhe informacioni për fermerët, që do të shërbejë si kanal dialogu mes bujqve, AZHBR-së dhe institucioneve financiare.
“Me rritjen e mbështetjes që synojmë deri në 100 milionë euro, me mbështetjen e Bankës së Zhvillimit dhe të Bankës së Shqipërisë, çdo fermë do të ketë mundësinë të përfitojë, duke u fokusuar tek projektet e duhura dhe jo tek fondet”, tha Rama.
Kryeministri gjithashtu theksoi rëndësinë e përgatitjes për ndryshimet që sjell anëtarësimi në BE, duke paralajmëruar se prodhimet që nuk përmbushin standardet nuk do të pranohen në tregun europian. Ndër masat konkrete që prezantoi, Rama përmendi finalizimin e regjistrave kombëtarë të fermave, parcelave dhe kafshëve, si dhe ndërtimin e laboratorëve të akredituar nga BE dhe shërbimeve këshillimore në terren.
Ai dha edhe këshilla për sipërmarrësit e sektorit bujqësor, duke theksuar se bashkëpunimi mes qeverisë dhe fermerëve është kyç për përballimin e sfidave të tregut europian dhe rritjen e kapaciteteve profesionale të sektorit.

















