Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
08 dhjetor 2025
Kryeministri Edi Rama, në podcast-in e tij të së dielës, është ndalur sërish tek çështja e pezullimit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe dy vartësve të saj, duke sqaruar se ankimimi në Gjykatën Kushtetuese nuk ka karakter politik dhe nuk synon ndërhyrje në drejtësi. Ai theksoi se vendimi i GJKKO-së për pezullimin e tyre po prodhon pasoja të drejtpërdrejta në funksionimin e qeverisë.
Rama u shpreh se pezullimi, ndonëse formalisht i quajtur “pezullim”, në praktikë përkthehet në “nënshtrim brutal të ekzekutivit”, duke lënë pezull çështje të rëndësishme, përfshirë dy vakanca në institucione kyçe: ARRSH dhe KESH. Sipas tij, këto pozicione, që janë kompetencë ekskluzive e ministrit, nuk mund të plotësohen aktualisht, pasi Balluku ndodhet nën masë pezullimi.
Ai e cilësoi këtë situatë jo vetëm antidemokratike, por edhe “alogjike”, pasi pengon funksionimin normal të qeverisë. Megjithatë, Rama nënvizoi se reagimi i tij nuk duhet interpretuar si ndërhyrje në punën e drejtësisë; përkundrazi, sipas tij, është një paralajmërim serioz që ngjarje të tilla të mos përsëriten.
Në të njëjtën dalje, kryeministri foli edhe për aksionin e lirimit të hapësirave publike në vend, duke deklaruar se deri tani u janë rikthyer qytetarëve rreth 100 mijë metra katrorë hapësira publike, që më herët ishin zaptuar në mënyrë të paligjshme.

















