Rama përplaset me ndërtuesit: “Jeni sektori me më shumë fitim dhe që shfrytëzon më shumë punonjësit”

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

23 dhjetor 2025

Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të martë një takim me përfaqësues të komunitetit të biznesit, ku u përfshi në një debat të ashpër me një përfaqësues të sektorit të ndërtimit lidhur me taksat, cilësinë e ndërtimeve dhe trajtimin e punonjësve.

Përfaqësuesi i shoqatës së ndërtuesve, Erjon Harizi, kërkoi rishikimin e taksës së infrastrukturës dhe mundësinë e pagesës me këste, duke argumentuar se pagesa e menjëhershme krijon vështirësi për sektorin. Rama u përgjigj se çështja është komplekse dhe lidhet drejtpërdrejt me performancën dhe korrektësinë e kompanive ndërtuese.

Kreu i qeverisë theksoi se ende ka probleme serioze me standardet e ndërtimit, punën informale dhe mospërputhjen mes projekteve të miratuara dhe asaj që realizohet në terren. Ai solli si shembuj raste kur qytetarët kanë blerë apartamente që nuk përputhen me kontratat, duke i cilësuar këto praktika si të papranueshme.

Rama nënvizoi se qeveria ka miratuar masa të reja ligjore dhe ka krijuar një “listë të zezë” për ndërtuesit problematikë, të cilët nuk do të përfitojnë leje ndërtimi për vite me radhë. Sipas tij, nuk ka vend për lehtësira pa përgjegjësi dhe pa garanci reale.

Në debat, kryeministri u shpreh ashpër edhe për deklarimin e pagave, duke thënë se sektori i ndërtimit është më fitimprurësi në vend, por njëkohësisht ai ku shfrytëzohen më shumë punonjësit. Rama deklaroi se pagat minimale të deklaruara nuk pasqyrojnë realitetin dhe kërkoi që kompanitë të rrisin ndjeshëm pagesat për punëtorët.

“Çfarë mbështetje kërkoni? Ju duhet të na mbështesni ne, jo ne ju”, u shpreh Rama, duke theksuar se prioriteti i qeverisë mbetet cilësia e ndërtimeve, respektimi i ligjit dhe mbrojtja e qytetarëve që investojnë kursimet e jetës në blerjen e një banese.

Në përfundim, ai u shpreh prerë se “paqja me ndërtuesit nuk ekziston” dhe se kontrollet do të jenë të vazhdueshme, ndërsa ndërtuesit duhet të fokusohen te përgjegjshmëria, korrektësia dhe standardet, jo te kërkesat për lehtësira.

Scroll to Top