Rama pas përmbytjeve: “Ndryshimi klimatik po sjell mot ekstrem, prioritet ndihma për qytetarët”

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

09 janar 2026

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile për të trajtuar situatën e krijuar nga përmbytjet e ditëve të fundit, të shkaktuara nga reshjet intensive të shiut në vend.

Gjatë mbledhjes, Rama theksoi se në këto momente kërkohet qetësi dhe solidaritet, duke nënvizuar se nuk është koha për akuza apo polemika, por për ndihmë konkrete për qytetarët e prekur. Ai apeloi për bashkim forcash dhe mbështetje reale ndaj familjeve që po përballen me pasojat e motit ekstrem.

Kryeministri sqaroi se situata nuk është e izoluar vetëm në Shqipëri, por prek një sërë vendesh të rajonit dhe Europës, nga Italia dhe Greqia, deri në Mal të Zi, Kosovë dhe Turqi, si pasojë e të njëjtit front të ftohtë dhe reshjeve të dendura.

Rama theksoi se ndryshimet klimatike po sjellin fenomene gjithnjë e më ekstreme, duke përfshirë thatësira, zjarre dhe përmbytje më të shpeshta, ndërsa theksoi se ndotja dhe shkatërrimi i mjedisit i përkeqësojnë edhe më shumë pasojat.

Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani janë raportuar 1.587 banesa të prekura nga uji, ndërsa 51 familje janë evakuuar. Ai bëri të ditur se sasia e reshjeve ka qenë e jashtëzakonshme, duke tejkaluar mesataren mujore të shiut që bie zakonisht gjatë një muaji të tërë.

Scroll to Top