Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta
27 maj 2025
Dy java pas fitores së thellë në 11 Maj, Kryeministri Rama ka thirrur në një takim kandidatët dhe deputetët e Parlamentit të ardhshëm.
Lideri i socialistëve mbajti një fjalim pak më shumë se 45 minuta, ku paralajmëroi ndryshime në parti dhe qeveri.
Duhet të bëjmë disa gjëra ndryshe, u shpreh ai gjatë fjalës para deputetëve socialistë, ku shpalli edhe objektivat e mandatit të katërt.
“Duhet ta nisim nga vetja për të ndarë mendjen si duhet mbi disa gjëra që duhen parë ndryshe, dhe duhet të bëjmë disa gjëra ndryshe. Duhet që të bëjmë disa lëvizje në udhëheqjen e partisë dhe në qeveri. Na duhet një mirëkuptim i plotë mes nesh dhe me familjen tonë europiane, sepse do ta përdorim fuqinë e mandatit të katërt”, u shpreh Rama.
Rama: Partia s’është qëllim, por mjet për të luftuar për qëllimet. As fitorja në zgjedhje nuk është qëllim në vetvete, por për të arritur qëllimet duhet të fitosh zgjedhjet. Fitoret nuk na duhen për të mundur të tjerët, ky nuk është sport dhe pse ngjan shumë me sport. Fitoret na duhen për të përmbushur misionin historik që kemi, për të ndryshuar përgjithnjë Shqipërinë, duke zhvilluar ekonominë, garantuar drejtësinë, përmirësuar arsimin dhe shëndetësinë, forcuar sigurinë, rritur reputacionin ndërkombëtar të atdheut tonë dhe bërë histori me anëtarësimin e vendit tonë në BE, brenda kësaj dekade.
Kemi mësuar se për ta vënë tërësisht në funksion të këtij vendi një fitore e arritur na duhet një punë e madhe me veten në radhë të parë.
Përsëri, këtë herë, por akoma më shumë se çdo herë, me ende më shumë thellësi dhe vendosmëri duhet ta nisim nga vetja për ta ndarë mendjen si duhet mbi disa gjëra që duhen parë ndryshe, duhen kuptuar ndryshe dhe duhen bërë ndryshe në nivelin e udhëheqjes së partisë, të grupit parlamentar, të qeverisë pa dyshim dhe kur flas për nivelin e udhëheqjes kam parasysh pikërisht këtë grup udhëheqës që është këtu.
Na duhet medoemos një mirëkuptim i plotë brenda nesh për t’u siguruar dhe pastaj për të siguruar popullin shqiptar, si edhe familjen e bashkuar europiane me fjalë të përputhura me veprat, se ne do ta përdorim fuqinë e jashtëzakonshme të mandatit të katërt në radhë të parë, si një fuqi të madhe vetëkorrigjuese.
Jemi ngjitur aq lart, sa askush nuk e ka besuar dhe duke u përpjekur të reflektoj për pse-në dhe si-në e kësaj ngjitjeje, unë besoj se mbi të gjithë kjo ka ndodhur sepse kemi arritur të nxjerrim më shumë nga vetja pas çdo fitoreje.
Ne e dimë si një dhe një që bëjmë dy, sa më shumë të vetëkorrigjohemi ne, aq më shumë do përmirësohet Shqipëria. Do të përfitojnë shqiptarët dhe do garantohet anëtarësimi ynë në BE, brenda kësaj dekade. Unë bashkë me disa të tjerë këtu, gjithmonë e më pak në fakt nga koha e vjetër siç do thoshte Lasgushi e kemi parë këtë familje të madhe tonën në errësirë dhe në dritë, në dëshpërim dhe në plot besim, përtokë dhe në fluturim dhe nuk është rastësi e rastit, që sa më mirë ka qenë kjo parti, aq më mirë ka qenë për Shqipërinë.

















