Rama në konferencën e IAIS: Klima, kibernetika dhe tregjet globale po testojnë sistemin e sigurimeve

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

14 nentor 2025

Shqipëria po pret një tjetër aktivitet prestigjioz ndërkombëtar, Konferencën Vjetore të IAIS – Organizatës Botërore të Mbikëqyrësve të Sigurimeve, e cila për herë të parë zhvillohet në rajonin e Ballkanit. Kjo ngjarje përfaqëson mbledhjen më të madhe globale të autoriteteve të mbikëqyrjes së sigurimeve.

Kryeministri Edi Rama, gjatë hapjes së konferencës, e nisi fjalimin me një notë humori, duke deklaruar se “shpreson që veshja e tij të tregojë sa seriozisht e ka marrë këtë fjalim”.

Në vijim, Rama u ndal te sfidat me të cilat përballet sot industria e sigurimeve, duke theksuar se rreziqet globale po rriten me ritme të shpejta.

“Në një botë që sa vjen e bëhet më e rrezikuar, ku përballemi me më shumë kërcënime sesa kufij, ndryshimet klimatike, sulmet kibernetike dhe luhatjet në tregjet globale kërkojnë prej nesh qasje inovatore. Dritarja për të arritur objektivat e klimës po ngushtohet me shpejtësi, duke imponuar një kosto të lartë të jetesës sot. Industria e sigurimeve po përballet me sfida të jashtëzakonshme dhe vendimmarrje të vështira për të shndërruar rrezikun në qëndrueshmëri. Ndërhyrjet kibernetike tashmë lidhen drejtpërdrejt me stabilitetin ekonomik,” deklaroi Kryeministri.

Në vijim pritet që konferenca të trajtojë çështje kyçe mbi rregullimin, sigurinë kibernetike, ndikimin e klimës dhe zhvillimet në tregun global të sigurimeve.

Scroll to Top