Rama e kritikoi për mosnisjen e hetimeve për ndërtimin pa leje në Theth, prokurorja Gjeli shkresë KLP: E shqetësuar për situatën e krijuar

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

11 korrik 2025

Pas kritikave të kryeministrit Edi Rama për mosnisjen e hetimeve për një ndërtim pa leje në Theth, ndonëse policia e kishte referuar çështjen, prokurorja Elsa Gjeli i është drejtuar me një shkresë KLP-së, duke i shprehur shqetësim për situatën e krijuar dhe duke kërkuar reagim nga institucioni. KLP, në mbledhjen e sotme, e ka renditur në listën e kërkesave për shqyrtim, por nuk dihet nëse do të ketë ndonjë vendimmarrje.

Një ditë më parë, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, pas kërkesës së kryeministrit, iu drejtua me një shkresë ILD-së për nisjen e ecurisë disiplinore ndaj prokurores. Në ankesë, ministri theksonte se prokurorja u bazua tek një ligj që nuk ishte në fuqi dhe e shkeli ligjin aktual, duke mos i filluar hetimet për kabinat e vendosura në Theth. Sipas ministrit, ‘prokurorja cenoi ushtrimin e hetimit ndaj kallëzimit që bëri policia e Shkodrës’ .

Kryeministri Edi Rama denoncoi më 7 korrik rastin e ndërtimit pa leje dhe vendosjes së kabinave të pushimit në Theth. Prokuroria e Shkodrës reagoi menjëherë duke arsyetuar se “vendimi ishte bazuar në ligj, pasi strukturat janë referuar nga policia si kontejnerë të përkohshëm pa themele, të vendosura jo mbi bazamente betoni por në rrasa guri të prera”. 

Kabinat pa leje në Theth rezultuan në pronësi të Prek Kodrës, një personazhi të shpallur 2 herë në kërkim nga SPAK. Më 2021, në një Dokument të Njësisë Kundër Terrorizmit në Kosovë cilësohej si personi që do vriste me snajper kryeministrin Kurti dhe 2 politikanë të tjerë. Lidhja me Bajrat dhe biseda në SKY ECC me Suel Çelën

Scroll to Top