rozeta hajdari

Qeveria konfirmon shkeljet në kontratën “sekrete”, shpall tender milionësh publik për Rezervat Shtetërore

Nga sekrete në publike brenda më pak se tri vitesh. Kështu ka ndryshuar procedura për furnizimin me rezerva shtetërore të cilën e udhëheq Ministria e Tregtisë. Vendimi konfirmon shkeljet e dyshuara të qeverisë gjatë shpalljes “sekrete” të procesit të parë për mbushjen e rezervave shtetërore.

Ministria e Tregtisë ka vendosur ta kthejë në publike procedurën tenderuese për rritjen e rezervave shtetërore, gati tri vite pasi procedurat për një çështje të ngjashme ishin shpallur “sekrete” me vendim të qeverisë.

Në një intervistë për RTK-në të mërkurën, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, përveç se skandalizoi me ndërhyrjet që i bëri moderatorit për çështjen e rezervave shtetërore, njoftoi se tani MINT-i ka hapur procedurë të hapur tenderuese për këtë çështje.

“Të lutem, a jeni ju sot prokuror apo gazetar. Të lutem mbylle këtë temë sepse është çështje sekrete”, tha Hajdari kur u pyet nga gazetari për përfshirjen e saj në skandalin e rezervave shtetërore.

Ajo tha se gjatë kësaj jave, Ministria ka hapur procedurën e re tenderuese për mbushjen e rezervave. Kësaj radhe, pohoi ajo, procesi do të jetë i hapur dhe transparent.

“Është gjithçka sekrete sa i përket pyetjeve për rezervën shtetërore. Githçka është publike për çka duhet të jetë publike. Nuk elaboroj as për sa kemi ftuar, as si i kemi ftuar. Janë ligjet në fuqi. Uroj që të kemi konsilidim të rezervës”, tha ministrja.

Vendimi për inicimin e procedurës së re, të hapur, tenderuese është publikuar në platformën e prokurimit publik, e-prokurimi.

Bazuar në njoftimin publik, MINT-i parasheh që përmes këtij procesi të shpenzojë deri në katër milionë euro për mbushjen me grurë të rezervave shtetërore

kontrata

Vendimi i MINT-it për të hapur procedurën tenderuese është konfirmim i shkeljeve të dyshimta ligjore të qeverisë, e cila e shpalli “sekrete” procedurën e kaluar tenderuese, në vitin 2022.

Dy vendime të dyshimta të cilat kryeministri Albin Kurti i kishte nënshkruar brenda pak ditëve në shkurt të vitit 2022, i kishin hapur rrugë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për të zhvilluar procedurat sekrete.

Këto vendime dyshohet se janë intepretuar ligjërisht në mënyrë të gabuar.

Vendimi i parë, i nxjerrë në një mbledhje të qeverisë më 23 shkurt 2022, parashihte alokimin e 10 milionë eurove nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike për rritjen e Rezervave Shtetërore. Mjetet do të vendoseshin në dispozicion të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, të udhëhequr nga Rozeta Hajdari.

Dy ditë më vonë, në 25 shkurt të atij viti, MINT-i do t’ia parashtronte një kërkesë absurde kryeministrit Kurti: që vendimi për furnizim i Rezervave Shtetërore të përjashtohej nga prokurimi publik dhe kontrata të klasifikohej si sekret.

Dosja e lëndës tregon se si kryeministri, përmes nënshkrimit të një vendimi të dyshimtë, e kishte aprovuar kërkesën që të përjashtoheshin procedurat e prokurimit publik për furnizim të Rezervave Shtetërore. Lëndën e kontratës e kishte klasifikuar si sekret shtetëror.

Megjithatë, dy vite më pas qeveria ka konfirmuar shkeljet e kontratës “sekrete” duke shpallur tender milionësh për Rezervat Shtetërore./Paparaci

Scroll to Top