Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
15 gusht 2025
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, do të takohet në Alaskë me presidentin rus, Vladimir Putin. Këto janë qëndrimet e aktorëve kryesorë, para këtij takimi:
Rusi: Presidenti Vladimir Putin ka lavdëruar homologun e tij Donald Trump për përpjekjet “energjike” dhe “të sinqerta” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Ukrainë: Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka falënderuar liderët europianë për mbështetjen ndaj Ukrainës që nga momenti i shpalljes së takimit. Ai gjithashtu falënderoi Trump për përkrahjen dhe sulmoi Putinin, duke thënë se lideri rus “nuk mund të na mashtrojë” dhe se nuk “dëshiron paqe”.
SHBA: Vetë Trump ka thënë se shpreson që samiti të jetë i suksesshëm, por se ka një “25% shans” që të mos ndodhë kështu. Presidenti amerikan gjithashtu deklaroi se, nëse gjërat ecin mirë, ai do të shtyjë për një takim të dytë ku të përfshihet edhe Zelensky
Britania e Madhe: Pas një takimi më herët mes Zelenskyt dhe kryeministrit britanik Keir Starmer, Downing Street lëshoi një deklaratë ku thuhej se të dy ranë dakord se në Alaskë kishte një mundësi për “përparim” – “për sa kohë që Putini ndërmerr veprime për të dëshmuar se është serioz për paqen”.
Gjermani: Një telefonatë u zhvillua dje mes liderëve të Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë, Finlandës dhe Polonisë, si dhe Trumpit dhe zëvendëspresidentit të tij JD Vance. Pas saj, kancelari gjerman Friedrich Merz tha se liderët kishin “bërë të qartë se Ukraina duhet të jetë në tryezë sapo të zhvillohen takimet e mëtejshme”.
Francë: Pas së njëjtës mbledhje, presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se negociatat mes Trump dhe Putin “duhet të çojnë drejt një paqeje të qëndrueshme dhe afatgjatë, me garanci sigurie, që sigurojnë sovranitetin e Ukrainës dhe stabilitetin e kontinentit tonë”.

















