Putini hedh dyshime rreth propozimit amerikan për armëpushim me Ukrainën

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

12 mars 2025

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk po e pranoi mirë propozimin e Shteteve të Bashkuara për një armëpushim me Ukrainën, pasi trupat ruse vazhdojnë përparimin në vijën e fronit.

Njofton një burim i lartë rus për gazetën britanike “The Telegraph”.

Sipas këtij burimi, “Është e vështirë për Putinin të pajtohet me këtë në formën aktuale, pasi ai ka një pozicion të fortë, duke pasur parasysh përparimet që Rusia ka arritur në fushën e betejës”

Në Ukrainën lindore, ku është përqendruar më së shumti sulmi rus, përparimet kanë ngadalësuar në javët e fundit. Në shkurt, trupat ruse kanë avancuar me 389 kilometra katrorë, pas një përparimi prej 431 kilometra katrorë në janar, 476 kilometra katrorë në dhjetor të vitit 2024 dhe 725 kilometra katrorë në nëntor, sipas raporteve të AFP-së.

Megjithatë, Rusia ka rimarrë territore të rëndësishme në rajonin e Kurskut, të cilat ishin pushtuar nga Ukraina gjatë verës. Në një deklaratë të martën, Moska bëri të ditur se kishte rimarrë 12 vendbanime nga Kievi.

Një burim tjetër i afërt me autoritetet ruse ka thënë se propozimi amerikan për armëpushim është parë si një “kurth” nga Moska. Sipas këtij burimi, Putini mund të ketë vështirësi në ndalimin e luftës pa marrë garanci të forta dhe premtime konkrete.

Ukraina ka pranuar një propozim nga SHBA për një armëpushim 30-ditor. Në këmbim, SHBA-ja ka rinovuar ndihmën e saj në fushën e inteligjencës dhe sigurisë për Ukrainën. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka theksuar se tani topi është në fushën e Rusisë.

Scroll to Top