“Punoni bashkë”- Vota e Diasporës, Rama mbledh të deleguarit e Tiranës, porosia që i la Manastirliut dhe Veliajt

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

04 shkurt 2025

Në një takim të zhvilluar mbrëmjen e djeshme me të deleguarit e qarkut të Tiranës, që u zhvillua në një nga hotelet e kryeqytetit, kryeministri Edi Rama ka dhënë porositë e tij për votën e diasporës.

A2 CNN mëson se shefi i qeverisë ka kërkuar që të vijojë puna për të arritur objektivin e PS për regjistrimin e emigrantëve, që përsa i përket kryeqytetit, socialistët synojnë të regjistrojnë 35 mijë persona.

Po ashtu bëhet me dije se kryeministri i ka kërkuar Ogerta Manastirliut dhe Erion Veliajt që të punojnë së bashku për të arritur objektivat e PS në zgjedhjet e 11 majit.

Kryeministri dhe Kryebashkiaku i Tiranës u shfaqën së bashku gjatë ditës së djeshme edhe në Qytetin Studenti, ku inspektuan punimet për rikonstruksionin e disa prej konvikteve.

Më herët gjatë paradites Rama për dy orë mbajti të mbyllur në selinë rozë drejtuesit politik për votën e diasporës. Secili prej tyre raportoi të dhënat e regjistrimit për bashkitë e qarqeve që kanë në ngarkim.

Duke qenë se numri i aplikantëve në faqen e KQZ është ende larg objektivit të librit të kontakteve të PS, Rama i ka kërkuar të vetëve që të punojnë më shumë për të rritur numrin e emigrantëve të regjistruar, sidomos në ato qarqe ku shifrat janë të ulëta.

Scroll to Top