Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
25 nentor 2025
Operacioni policor i koduar “OROSHI”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Pukë në bashkëpunim me DVP Shkodër, Drejtorinë e Antiterrorit dhe Forcat Speciale RENEA, u finalizua pas një rrethimi 12-orësh në fshatin Orosh, Fushë-Arrëz, duke çuar në arrestimin e dy personave që kishin kërcënuar dhe qëlluar me armë ndaj efektivëve të policisë.
Ngjarja nisi më 24 nëntor 2025, rreth orës 09:00, kur shërbimet e Policisë Pukë konstatuan një shtetas që u largua me shpejtësi dhe u fut në një banesë të braktisur. I kërkuar të dorëzohej, ai kërcënoi punonjësit e policisë dhe u izolua brenda objektit, ku më pas iu bashkua edhe një person tjetër. Për shkak të rrezikshmërisë së lartë, zona u rrethua dhe u kërkua ndërhyrja e forcave RENEA.
Gjatë thirrjeve të forcave speciale për dorëzim, nga brenda banesës u qëllua me armë zjarri në drejtim të policisë. Pas orësh negociatash të vazhdueshme dhe ndërhyrjes së të afërmve të tyre, dy personat u vetëdorëzuan pa përdorur forcë. Njëri prej tyre, E. U., u gjet me një plagë tejshpuese në këmbë dhe u transportua në spitalin e Shkodrës, jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit të banesës, policia sekuestroi 4 armë automatike, një pistoletë, 17 granata dore difensive, municion luftarak, kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës dhe dy gëzhoja. Në murin e banesës u gjet edhe një flamur i Organizatës Terroriste ISIS.
Në përfundim të veprimeve hetimore u arrestuan:
- E. U., 35 vjeç, me precedent penal për “Nxitje të urrejtjes dhe grindjeve”.
- J. C., 34 vjeç, i dënuar më parë për “Vjedhje” dhe “Kanosje”.
Të dy të arrestuarit do të hetohen për veprat penale:
- “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”,
- “Prodhimi i armëve luftarake”,
- “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”,
- “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Shkodrës për veprime të mëtejshme.

















