Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
06 janar 2026
Autoritetet zvicerane kanë publikuar detaje të reja lidhur me zjarrin tragjik që shpërtheu në një bar në një resort skish, ku humbën jetën 40 persona, ndërsa 116 të tjerë mbetën të plagosur.
Sipas zyrtarëve lokalë, bari “Le Constellation” nuk i ishte nënshtruar asnjë kontrolli sigurie, inspektimi apo auditimi për më shumë se pesë vite. Hetimet paraprake tregojnë se zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga fishekzjarrë të vendosur në shishe shumë pranë tavanit të lokalit.
Në këtë kuadër, autoritetet kanë shpallur ndalimin e përdorimit të fishekzjarrëve në ambientet e brendshme të lokaleve në zonë, si masë parandaluese për ngjarje të ngjashme në të ardhmen.
Policia njoftoi të hënën se 83 persona vazhdojnë të marrin trajtim mjekësor në spital. Të gjithë të plagosurit janë identifikuar dhe përfaqësojnë të paktën 12 kombësi të ndryshme.
Ndërkohë, është hapur një hetim penal ndaj çiftit francez që administronte barin, i cili ishte veçanërisht i frekuentuar nga të rinjtë në resortin turistik të skive, ku mosha minimale e lejuar për konsumimin e alkoolit është 16 vjeç.
Kryebashkiaku i Crans-Montanës i ka njoftuar medias se bari ku shpërtheu një zjarr vdekjeprurës gjatë festimeve të Vitit të Ri, i cili vrau 40 persona, nuk kishte pasur asnjë inspektim, kontroll apo auditim sigurie për pesë vjet – pavarësisht se zyrtarët zakonisht i shqyrtojnë lokalet në rajon për rreziqe zjarri çdo vit.
“Na vjen keq për këtë – ua kemi borxh familjeve dhe do ta pranojmë përgjegjësinë.”
Nicolas Feraud u tha gazetarëve se këshilli donte të ishte “menjëherë” transparent me hetimin e tij, por se nuk do të jepte dorëheqjen.
Ai tha se zyrtarët po hetojnë tani se çfarë ka ndodhur dhe kjo do të përfshijë një audit të plotë të të gjitha vendeve në zonë.

















