Pse Vuçiq nuk po i shpall zgjedhjet e parakohshme?

Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta

05 janar 2026

Edhe pse deri së fundmi ishte praktikë e rregullt, tani pushteti në Serbi i sheh zgjedhjet e parakohshme parlamentare si diçka që i përket së ardhmes.

Ndoshta në pranverë, ndoshta vetëm pas një viti.

Kështu u përgjigj presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga Partia Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet, ndaj kërkesës së studentëve protestues.

Politologu Dejan Bursaç thotë për Radion Evropa e Lirë se ekziston një problem nëse SNS-ja, të cilën ai e quan “makineri zgjedhore”, nuk shkon në zgjedhje të parakohshme edhe pse më parë e ka bërë këtë vazhdimisht.

“Ky problem quhet: nuk mund t’i fitojnë zgjedhjet”, vlerëson Bursaç, bashkëpunëtor i lartë shkencor në Institutin për Filozofi dhe Teori Shoqërore.

“Pra, zgjedhjet për ta janë një vilajet i madh i errët”, shtoi ai.

Studentët protestues njoftuan më 29 dhjetor se gati 400.000 qytetarë kanë mbështetur kërkesën e tyre për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi.

Megjithatë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shprehu dyshime për këtë shifër, duke vlerësuar se ata nuk kanë mbledhur “as shtatë për qind” të saj.

Çfarë thanë studentët?

Tetë muaj pas paraqitjes së kërkesës për zgjedhje, studentët u bënë thirrje qytetarëve që t’i mbështesin me nënshkrimin e tyre në aksionin “Shpall fitoren”.

“Ky aksion na ka dëshmuar se edhe pas më shumë se një viti lufte të pandërprerë, vullneti dhe forca nuk po shuhen”, deklaruan studentët në Instagram.

Aksioni u zhvillua më 28 dhjetor në mbarë Serbinë, në mbi 500 stenda.

Nënshkrimet që ata kanë mbledhur nuk do t’i dërgohen asnjë institucioni si kërkesë formale për shpalljen e zgjedhjeve, as nuk janë nënshkrime mbështetëse për një listë studentore.

“Por, është një lloj presioni dhe do të ketë rëndësi në kuptimin që do të tregojë se kjo nuk është vetëm kërkesë e studentëve, por kërkesë e të gjithë qytetarëve”, tha për REL-in gjatë aksionit Nemanja, student i Fakultetit të Matematikës në Beograd.

Studentët thanë se në këtë mënyrë po krijojnë edhe lidhje me qytetarët.

Studentët nisën protesta masive në mbarë Serbinë pasi më 1 nëntor të vitit 2024, nga shembja e strehës së rindërtuar të Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, humbën jetën 16 persona dhe një u plagos rëndë.

Ata këmbëngulin për përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë në Novi Sad.

Çfarë tha Vuçiq?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se ndaj shifrës së publikuar nga studentët për numrin e nënshkrimeve të mbledhura “vetëm u buzëqesh”.

“Atë numër askush kurrë nuk do të mundë dhe askush kurrë nuk e ka mbledhur”, vlerësoi Vuçiq në konferencën vjetore më 30 dhjetor.

Duke iu përgjigjur aksionit “Shpall fitoren”, ai tha se kërkesa e tyre kryesore ishte pranuar.

“Do të shkojmë së shpejti, vitin e ardhshëm, në zgjedhje. Vetëm se nuk do të jenë aq të lumtur kur t’i numërojnë votat”, u tha ai më 28 dhjetor të mbledhurve para Kuvendit të Serbisë.

Në ditën kur studentët organizuan aksionin e mbledhjes së nënshkrimeve, përpara parlamentit filloi largimi i çadrave në të cilat muajt e mëparshëm qëndronin mbështetësit e pushtetit.

Duke folur për afatet e mundshme të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, presidenti i Serbisë tha se ato mund të mbaheshin në maj ose dhjetor të vitit 2026.

“Më realiste është të pritet që kjo të ndodhë në fund të vitit 2026”, tha ai më 4 dhjetor në TV Pink.

Ai gjithashtu nuk e përjashtoi mundësinë që në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të kandidojë për kryeministër.

“Nëse shohim se është e mundur të mos kandidoj dhe të fitojmë, sigurisht që nuk do të jem kandidat. Nëse shohim se ndryshe është e pamundur, është e mundur që të marr një vendim tjetër”, tha ai më 28 dhjetor në TV Pink.

Para se të zgjidhej president i Serbisë në vitin 2017, Vuçiq mbante postin e kryeministrit.

Ky është mandati i tij i dytë presidencial dhe sipas Kushtetutës ai nuk ka më të drejtë të kandidojë për president të Serbisë.

Pse zgjedhjet janë një e panjohur?

Fakti që Vuçiq ende nuk ka shpallur zgjedhjet, për politologun Dejan Bursaç tregon se zgjedhjet këtë herë janë një e panjohur për partinë që është në pushtet që nga viti 2012.

Scroll to Top