Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta
19 shtator 2025
E gjitha kjo është një arrogancë politike e Edi Ramës, i cili e ka marrë personalisht “rebelimin” e Veliajt.
Edi Rama po i poshtëron këshilltarët socialistë të Tiranës, që të votojnë shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, me pretekstin se nuk është paraqitur me punë.
Vendimi i këshillit bashkiak të Tiranës për të shkarkuar Erion Veliajn është një ‘mashë’ e turpshme, me të cilën Edi Rama kërkon të heqë ‘gështenjën e nxehtë’ nga zjarri.
Pasi vendimi i Këshillit Bashkiak është një alibi juridike që Edi Rama të shkarkojë Veliajn politikisht. Këshilli Bashkiak i Tiranës, nuk ka arsye përse të rrëzojë një kryetar, i cili është zgjedhur me votat e qytetarëve, por që edhe ka kontribuar në zgjedhjen e tij(këshillit).
Rasti penal ndaj Veliajt është një çështje juridike dhe pa u zgjidhur kjo çështje, nuk i takon askujt të vendos përveçse, vetë të zotit të punës.
Përderisa Erion Veliaj, merr përsipër që të marrë barrën e kalvarit gjyqësor duke u shpallur si i pafajshëm ndaj akuzës që i bëhet, asnjë organ politik nuk e ka tagrin, por as edhe moralin që të shprehet.
Jemi në një rast kur një person i votuar më pak se Erion Veliaj, si Sali Berisha, është i pandehur dhe mban funksionin shtetëror të deputetit.
Edi Rama nga ana e tij, rastin Veliaj po e trajton në një standard të dyfishtë dhe krejt pa asnjë moral politik, shtetëror, por edhe njerëzor.
Edi Rama ka pasur disa raste të ngjashme, ku nuk i ka shpallur zgjedhjet e parakohshme vendore. Rasti më i fundit është ai i Fredi Belerit, i arrestuar për korrupsion elektoral, ku zgjedhjet në bashkinë e Himarës u bënë pas dy vjetësh, vetëm pas një vendimi të formës së prerë.
Ndërkaq, me rastin e Vangjush Dakos e Valdrin Pjetrit, ku personat dhanë dorëheqjen vullnetarisht, Edi Rama nuk mori vendimin e duhur të Këshillit të Ministrave për të shpallur vendin vakant, në mënyrë që Presidenti i Republikës, atëherë Ilir Meta, të shpallte zgjedhjet e parakohshme.
Në rastin e Vangjush Dakos, bashkia e Durrësit pësoi një kaos kandidaturash duke u dorëhequr si pasojë e presioneve të klaneve, ndërkohë që në Shkodër, u la në detyrë Voltana Ademi, edhe pse ishte jashtë ligjit në mënyrë flagrante.
Ligjërisht rasti i Erion Veliajt është i zgjidhur qartësisht. Nëse këshilli bashkiak merr vendim për ta shkarkuar dhe i kërkon qeverisë që ta vulosë vendimin, VKM anulohet menjëherë sapo Veliaj ta ankimojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese.
E gjitha kjo është një arrogancë politike e Edi Ramës, i cili e ka marrë personalisht “rebelimin” e Veliajt.
Që është krejt në kushte të pabarabarta me shefin e tij, pasi ndodhet i mbyllur në paraburgim, madje me rregjim të rreptë.
Ai, kryebashkiaku i Tiranës ka marrë përsipër të bëjë një betejë gjyqësore, të cilën e konsideron dhe morale. Në parim, por edhe nen për nen, kjo betejë nuk dëmton as bashkinë e Tiranës e as Partinë Socialiste. Por vetëm egon e Edi Ramës, i cili konsideron se kush vepron jashtë urdhrave të tij, eliminohet.
Në të vërtetë, ata që eliminohen janë vetëm këshilltarët e bashkisë së Tiranës, të cilët janë përzgjedhur dhe zgjedhur nga Erion Veliaj, nëse ngrenë kartonin për ta shkarkuar.
Pasi, siç ka ndodhur edhe në rastet e tjera, Rama do t’i largojë në rastin më të parë si ‘limonë të shtrydhur’ që nuk kanë dinjitet e moral të mbrojnë shefin e tyre politik. Pasi atë që bëjnë për Veliajn, mund ta bëjnë nesër për çdo kryetar tjetër, apo edhe për vetë Edi Ramën.

















