Pse e braktisi Elon Musk Uashingtonin?

Koha e parashikuar e leximit: 6 minuta

30 maj 2025

Elon Musk, njeriu më i pasur në botë kritikoi ashpër legjislacionin e politikës së brendshme të Presidentit Trump, duke thënë se projektligji i ri do të shtonte deficitin kombëtar. Ai u ankua te zyrtarët e administratës Trump për një marrëveshje fitimprurëse që shkoi te një kompani rivale për të ndërtuar një qendër të dhënash me inteligjencë artificiale në Lindjen e Mesme. Në anën tjetër, ai ende nuk e ka përmbushur një premtim prej 100 milionë dollarësh për operacionin politik të Trump.

Z. Musk, i cili dikur e quante veten “shoku i ngushtë” i presidentit, tani po luan në njëfarë distance nga Z. Trump, ndërsa thotë se po i jep fund angazhimit të tij qeveritar për të kaluar më shumë kohë në kompanitë e tij. Musk mbetet në marrëdhënie të mira me Trump, sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë. Por ai gjithashtu e ka bërë të qartë se është i zhgënjyer me Uashingtonin dhe i frustruar me pengesat që hasi ndërsa përmbysi burokracinë federale, duke ngritur pikëpyetje në lidhje me forcën e aleancës midis presidentit dhe njeriut më të pasur në botë.

Musk ishte sponsori më i madh politik i njohur në zgjedhjet e vitit 2024, dhe ai u tha këshilltarëve të Trump këtë vit se do t’u jepte 100 milionë dollarë grupeve të kontrolluara nga ekipi i presidentit para zgjedhjeve të mesit të mandatit të vitit 2026. Deri këtë javë, paratë nuk janë ardhur ende, sipas shumë personave të njohur me çështjen, të cilët folën me kusht anonimiteti për të përshkruar dinamikën në prapaskenë.

Z. Musk nuk iu përgjigj një kërkese për koment. Në një postim në X, faqen e tij të mediave sociale, të mërkurën në mbrëmje, ai konfirmoi zyrtarisht për herë të parë se mandati i tij si punonjës qeveritar po i vinte fundi dhe e falënderoi z. Trump “për mundësinë për të ulur shpenzimet e panevojshme”.

“Misioni @DOGE do të forcohet vetëm me kalimin e kohës, ndërsa shndërrohet në një filozofi për të gjithë qeverinë”, shtoi ai, duke iu referuar ekipit të tij të Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë.

Ndikimi i miliarderit ndihet ende fort në Uashingtonin zyrtar përmes kësaj përpjekjeje, një iniciativë për të ulur në mënyrë drastike shpenzimet që ka vendosur stafi në të gjithë qeverinë. Por Musk ka thënë ditët e fundit se ai kaloi shumë kohë duke u përqendruar tek politika dhe reputacioni i tij dhe kompanive është dëmtuar për shkak të punës së tij në administratën Trump.

“Kam përshtypjen se ndoshta kam kaluar pak si shumë kohë në politikë,” tha Z. Musk në një intervistë këtë javë me Ars Technica, një agjenci lajmesh për teknologjinë.

Ai shtoi: “Ishte thjesht shpërndarja relative e kohës që ndoshta ishte paksa shumë e lartë nga ana e qeverisë, dhe unë e kam ulur atë ndjeshëm në javët e fundit.”

Ai gjithashtu kritikoi aleatët e Trump në Kongres, duke i thënë CBS News se ishte “i zhgënjyer” nga projektligji i politikës së brendshme që presidenti mbështeti dhe Dhoma e Përfaqësuesve miratoi javën e kaluar.

“Isha i zhgënjyer kur pashë projektligjin të shpenzimeve masive, sinqerisht, i cili rrit defiçitin buxhetor dhe minon punën që po bën ekipi i DOGE,” tha ai.

Kur u pyet nga gazetarët në lidhje me kritikat e Musk të mërkurën, Trump refuzoi të përgjigjej drejtpërdrejt. Ai e mbrojti projektligjin duke pranuar se gjithsesi nuk i pëlqente çdo aspekt i tij dhe lavdëroi përpjekjet e republikanëve për ta çuar përpara. Ai nuk e përmendi asnjëherë emrin e zotit Musk.

Megjithatë, Stephen Miller, zëvendësshefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë për politikat, iu kundërpërgjigj zotit Musk në mediat sociale pa ia përmendur emrin. Z. Miller pohoi se projektligji do të zvogëlonte deficitin – pavarësisht analizave të shumta të pavarura që thoshin të kundërtën – dhe vuri në dukje se shkurtimet e bëra nga ekipi i zotit Musk nuk kishin lidhje me projektligjin e shpenzimeve.

Përpara udhëtimit të zotit Trump në Lindjen e Mesme këtë muaj, zoti Musk kundërshtoi një marrëveshje në zhvillim midis një kompanie rivale të inteligjencës artificiale dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për të ndërtuar një qendër masive të dhënash në Abu Dhabi, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë.

Musk u ankua te David Sacks, këshilltari i presidentit për inteligjencën artificiale, dhe zyrtarë të tjerë të Shtëpisë së Bardhë në lidhje me projektin e Abu Dhabit që përfshinte OpenAI, një organizatë që ai themeloi me Sam Altman, me të cilin që atëherë ka pasur një grindje, sipas zyrtarit. Ai gjithashtu shprehu shqetësime në lidhje me kompanitë e tjera të inteligjencës artificiale dhe kërkoi që kompania e tij, XAI, të përfshihej në marrëveshje, por në fund ajo nuk u përfshi. Wall Street Journal raportoi për herë të parë kundërshtimin e zotit Musk.

Marrëveshja me OpenAI u pasua nga një plan midis administratës Trump dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për të ndërtuar një kampus të inteligjencës artificiale në Abu Dhabi.

Musk iu bashkua presidentit në udhëtimin e tij nëpër Lindjen e Mesme, por Trump mezi e përmendi emrin e tij publikisht. Dhe zyrtarët e huaj në Gjirin Persik dukeshin më të interesuar të kërkonin të dërguarin special të zotit Trump në rajon, Steve Witkoff, sesa të kërkonin zotin Musk.

Scroll to Top