Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
10 dhjetor 2025
Çmimi i argjendit ka prekur një rekord historik, duke kaluar për herë të parë pragun prej 60 dollarësh për ons në tregun spot. Rritja vjen mes pritshmërive për një ulje të normave të interesit nga Rezerva Federale e SHBA-së dhe kërkesës së lartë nga industria e teknologjisë.
Edhe ari ka shënuar rritje këtë javë, duke vijuar ecurinë e muajve të fundit, ndërsa investitorët po zhvendosin kapitalin drejt metaleve të çmuara teksa pritet një dobësim i dollarit amerikan. Fed pritet të ulë normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje, duke bërë asete si argjendi më tërheqëse krahasuar me ruajtjen e parave në banka apo obligacionet afatshkurtra.
Ekspertët theksojnë se rritja e argjendit është ndikuar edhe nga kërkesa në rritje në sektorët e teknologjisë – nga automjetet elektrike te panelet diellore – pasi ky metal është një përçues superior i energjisë elektrike. Kjo kërkesë ka tejkaluar furnizimin global, i cili është i vështirë të zgjerohet shpejt, duke qenë se argjendi prodhohet kryesisht si nënprodukt i minierave të tjera.
Ndërkohë, shqetësimet për tarifa të mundshme nga SHBA-të kanë nxitur grumbullimin e metalit në tregun amerikan, duke shkaktuar mungesa dhe rritur çmimet në tregjet ndërkombëtare. Ekspertët presin që çmimi i argjendit të mbetet i lartë edhe në muajt e ardhshëm, teksa kërkesa pritet të rritet më tej, sidomos me zgjerimin e industrisë së automjeteve elektrike.

















