Berisha në protestë: Akuzon qeverinë për shpërdorime dhe paralajmëron vazhdim të betejës politike

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

25 nentor 2025

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë protestës së radhës të mbajtur para Kryeministrisë, u ndal në disa çështje politike dhe ekonomike, duke lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë së Edi Ramës. Në fjalën e tij, Berisha u fokusua edhe te çështja e tunelit të Llogarasë, ku pretendoi se janë vjedhur nga 90 deri në 97 milionë euro.

Ai theksoi se, sipas tij, debati publik për këtë projekt nuk zë as një pjesë të vogël të dëmeve financiare që i janë shkaktuar vendit ndër vite. Berisha përmendi edhe projektet e tjera infrastrukturore, ku akuzoi ministren Belinda Balluku dhe kryeministrin Rama për rritje të pajustifikuar të kostove.

Gjatë fjalimit, kreu i PD bëri edhe një panoramë të diskutimeve në asamblenë e përgjithshme të CDI-së, duke përmendur solidaritetin e shprehur ndaj Ukrainës dhe qëndrimet e organizatës ndaj regjimeve që ai i cilësoi autoritare. Sipas tij, Shqipëria ka zënë një vend të rëndësishëm në diskutimet e kësaj platforme ndërkombëtare për shkak të asaj që ai e quajti “narko-diktaturë”.

Berisha përshëndeti të rinjtë që morën fjalën para tij në protestë dhe i bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë aktivë në betejën politike të opozitës.

Ai deklaroi se protesta para Kryeministrisë do të mbetet një pikë e pandalshme grumbullimi, të cilën e quajti “sheshi i lirisë”, duke premtuar se opozita nuk do të tërhiqet derisa “të arrihet fitorja” dhe të ketë, sipas tij, një ndryshim politik në vend.

Scroll to Top