Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
11 shkrut 2026
Mbrëmja e 10 shkurtit 2026 u shoqërua me tensione të forta në Tiranë, ku protesta e opozitës së qendrës së djathtë përshkallëzoi në akte dhune pranë selisë së Kryeministrisë dhe më pas para Kuvendit.
Pas përfundimit të fjalimit të kreut të opozitës, Sali Berisha, një grup protestuesish hodhën koktej molotovi dhe mjete piroteknike në drejtim të godinës së qeverisë. Ndërtesa u godit gjithashtu me fishekzjarre të fuqishme, ndërsa policia ndërhyri menjëherë për të shpërndarë turmën. Thirrjet për qetësi përmes megafonit u pasuan me përdorimin e topave me ujë, që larguan përkohësisht protestuesit nga sheshi përpara Kryeministrisë.
Pak minuta më vonë, qindra persona u rikthyen duke tentuar të çajnë kordonin e policisë, ndërsa një grup tjetër u drejtua drejt Kuvendit. Gjatë gjithë tubimit janë hedhur sende të forta, lëndë djegëse dhe mjete piroteknike në drejtim të forcave të rendit dhe institucioneve shtetërore.
Si pasojë e përplasjeve, 16 punonjës policie mbetën të lënduar, morën ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vijim të veprimeve hetimore, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, specialistët e Komisariatit Nr. 1 arrestuan në flagrancë 22 persona, mes tyre edhe katër të mitur 17-vjeçarë. Ata akuzohen për vepra penale si “Goditja për shkak të detyrës”, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.
Po ashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për disa persona të tjerë, përfshirë sekretarin organizativ të Partisë Demokratike dhe disa anëtarë të saj, të dyshuar për organizim të paligjshëm të grumbullimeve, kundërshtim të policisë dhe shtytje të të miturve në kryerjen e veprave penale. Një shtetas 41-vjeçar është shpallur në kërkim.
Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi 22 molotovë të pashpërthyer dhe tre shishe me lëndë të dyshuar djegëse, të gjetura pranë Kuvendit.
Strukturat hetimore të Policisë së Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në aktet e dhunshme. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

















