Pas shpërthimit në kanalin e Ibër Lepencit të premten në mbrëmje, sot presidentja e vendit, Vjosa Osmani në takime ndaras ka pritur komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani si dhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe atë të BE-së.
Në takimin me komandantin Barduani, presidentja Osmani ritheksoi se sulmi terrorist ndaj infrastrukturës vitale dëshmon qëllimet e Serbisë për destablizimin e Kosovës dhe gjithë rajonit, duke cenuar sigurinë kombëtare të vendit tonë si dhe duke synuar krijimin e një krize humanitare.
Presidentja shprehu vlerësimin e lartë për të gjitha institucionet e Kosovës për menaxhimin e suksesshëm të situatës së krijuar e po ashtu falënderoi KFOR-in, i cili menjëherë ka ofruar të gjitha kapacitetet e tyre për të ndihmuar tejkalimin e kësaj gjendjeje si dhe parandalimin e sulmeve të ngjashme në të ardhmen.
Presidentja Osmani sot ka pritur në takim edhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe atë të BE-së.
Gjatë takimit, presidentja Osmani ka potencuar cenimin që i është bërë sigurisë kombëtare të Kosovës përmes sulmeve në infrastrukturën vitale.
Në takim u diskutua për reagimin e institucioneve përgjegjëse karshi kësaj situate, me ç’rast si Presidentja Osmani, sikurse edhe ambasadorët kanë bërë vlerësimin më të lartë për menaxhimin dhe punën e bërë.
Në të njëjtën kohë, Presidentja Osmani theksoi sulmet sikurse ky i fundit synojnë jo vetëm destabilizimin e Kosovës, por paraqesin rrezik serioz për stabilitetin e gjithë rajonit.
Presidentja Osmani i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta dënojë këtë sulm terrorist dhe të qëndrojë e bashkuar kundër çdo përpjekjeje për të minuar paqen dhe sigurinë në Kosovë.