Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
24 nentor 2025
Partia Popullore Evropiane (PPE) ka renditur Shqipërinë mes katër prioriteteve globale të saj, të prezantuara gjatë punimeve të Asamblesë së Unionit Demokratik Ndërkombëtar (CDI) në Sao Paolo të Brazilit, ku Partia Demokratike mori pjesë si organizatë anëtare.
Eurodeputetja dhe sekretarja e përgjithshme e PPE-së, Dolors Montserrat, theksoi se procesi i integrimit evropian të Shqipërisë duhet të mbetet i lidhur ngushtë me respektimin e standardeve demokratike dhe garantimin e pavarësisë së institucioneve. Ajo theksoi se Brukseli duhet të kërkojë rezultate të qarta për të frenuar çdo rrëshqitje demokratike dhe ndikim politik mbi median dhe drejtësinë.
“Ne insistojmë që anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian të kushtëzohet me ndalimin e rrëshqitjes demokratike dhe kapjes së mediave e drejtësisë, të kryera nga një lidership i lidhur me trafikun e drogës, krimin e organizuar dhe pastrimin e parave,” deklaroi Montserrat.
Sipas Partisë Demokratike, ky qëndrim i PPE-së përbën një mesazh të fortë për institucionet evropiane dhe autoritetet shqiptare, duke vënë në dukje domosdoshmërinë e rikthimit tek parimet e shtetit të së drejtës, transparenca dhe pavarësia e sistemit mediatik e gjyqësor.
Gjatë punimeve të asamblesë së CDI-së, kreu i PD-së, Sali Berisha, u zgjodh zv.president i organizatës.

















