Polonia aktivizon avionët luftarakë dhe mbyll aeroporte pas sulmeve ruse në Ukrainë

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

19 nentor 2025

Polonia ka ngritur në gatishmëri të plotë forcën ajrore dhe ka mbyllur përkohësisht dy aeroporte, pasi Rusia ndërmori një valë të re sulmesh me raketa dhe dronë mbi Ukrainën. Sulmet goditën kryesisht rajonet perëndimore, pranë kufirit polak, ndërsa në Kharkiv dhjetëra persona u plagosën dhe u shkaktua dëme të mëdha në ndërtesa banimi e automjete. Pjesë të tëra të Ukrainës mbetën pa energji elektrike për shkak të goditjeve ndaj infrastrukturës energjetike.

Përballë rrezikut të mundshëm në afërsi të kufirit, Varshava aktivizoi avionët e reagimit të shpejtë dhe një aeroplan paralajmërues, ndërsa sistemet tokësore të mbrojtjes ajrore u vendosën në gjendje të lartë alarmi. Dy aeroportet Rzeszow dhe Lublin u mbyllën përkohësisht për t’i hapur rrugë operacioneve ushtarake, por u rihapën pak orë më vonë.

Sulmi rus erdhi vetëm pak kohë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbërriti në Turqi për takime me presidentin Erdogan, ku u diskutua mundësia e rinisjes së bisedimeve për paqen dhe shkëmbimit të të burgosurve të luftës. Rusia nuk është pjesë e këtyre negociatave, por Turqia po synon të luajë rol ndërmjetësues.

Në muajt e fundit, vendet e NATO-s kanë rritur dukshëm numrin e fluturimeve të avionëve luftarakë, për të parandaluar çdo rrezik që mund të depërtojë në hapësirën e tyre ajrore. Polonia mbetet ndër vendet më vigjilente, sidomos pas incidentit të shtatorit, kur avionët e saj shkatërruan disa dronë rusë që kishin hyrë në hapësirën e saj ajrore — një episod që NATO e quajti “jashtëzakonisht të rrezikshëm” dhe që shënoi herën e parë që Aleanca goditi objektiva gjatë luftës në Ukrainë.

Scroll to Top