Plani amerikan për paqe: Ukraina të heqë dorë nga NATO, Rusia të ndalë agresionin

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

21 nentor 2025

Administrata amerikane nën Presidentin Donald Trump ka hartuar një plan për t’i dhënë fund luftës së agresionit rus kundër Ukrainës, e cila ka zgjatur më shumë se tre vjet e gjysmë. Detajet e dokumentit, të publikuara nga portali amerikan Axios dhe të konfirmuara nga agjencitë AP dhe AFP, janë shpërndarë gjithashtu nga deputeti ukrainas Oleksiy Honcharenko përmes Telegramit.

Plani parashikon ndryshime të mëdha në arkitekturën e sigurisë evropiane. Ai riafirmon sovranitetin e Ukrainës dhe kërkon që Rusia, Ukraina dhe vendet evropiane të shpallin mbylljen e konflikteve të tre dekadave të fundit, duke u zotuar të mos sulmojnë njëra-tjetrën. Dokumenti përfshin edhe rikthimin e dialogut SHBA–Rusi për kontrollin e armëve bërthamore.

Një nga pikat më të debatueshme është kërkesa që Ukraina të ndryshojë kushtetutën dhe të heqë dorë përfundimisht nga aspirata për t’iu bashkuar NATO-s, ndërsa Aleanca pritet të deklarojë se nuk do ta pranojë kurrë Ukrainën dhe nuk do të stacionojë trupa në territorin e saj. Sipas planit, avionët luftarakë evropianë do të vendosen në Poloni, ndërsa Rusia do të marrë përsipër detyrim ligjor të ndalojë çdo formë agresioni ndaj Evropës dhe Ukrainës.

Ky dokument pritet të shkaktojë debat të gjerë si në KieV, ashtu edhe në kryeqytetet evropiane, për shkak të pasojave që mund të ketë në balancat e sigurisë në kontinent.

Scroll to Top