‘Pjesë e administratës’, Berisha thotë se po asgjësohen institucionet kushtetuese

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

26 gusht 2025

“Nga 220 mijë rrogëtarë që paguhen me taksat e qytetarëve shqiptarë, 98 për qind e tyre i përkasin partisë shtet, emërtesë e partisë shtet, emërtesë e Edi Ramës, në të gjithë vendin”

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur në konferencën e radhës për media për asgjësimin – sipas tij – të institucioneve kushtetuese.

“Nga 220 mijë rrogëtarë që paguhen me taksat e qytetarëve shqiptarë, 98 për qind e tyre i përkasin partisë shtet, emërtesë e partisë shtet, emërtesë e Edi Ramës, në të gjithë vendin”.

Për Berishën, ky nuk është një monizëm total, por është pothuaj një monizëm i plotë.

“Megjithatë duhet pranuar se dallimi esencial midis diktaturës totalitare dhe diktaturës autoritare është se e para me ligj nuk e pranon pluralizmin, e dyta e pranon, por e shtyp atë me institucione”, ka shtuar ai.

Sipas tij, nuk ka përqendrim më të madh pushteti se të kesh emëruar 98 për qind e të gjithë piramidës shtetërore dhe administratës publike, duke filluar nga Presidenti i Republikës, te kryegjykatësit, kryeprokurorët, e me radhë.

“Edi Rama ka shpërndarë këto ditë gushti një projektligj për administratën shtetërore, një paçavure e vërtetë, i cili në rrafshin e teknikës juridike përfaqëson një mjerim total, një shkarravinë të vërtetë. Por shumë më e rëndë është në parimet që këto ndryshime të ligjit ekzistues për administratën shtetërore sjellin”.

Berisha ka ravijëzuar po ashtu se administrata aktuale shtetërore funksionon mbi bazën e ligjit 90 të shtatorit të vitit 2012, “ligj i cili pa mëdyshje mund të amendohet si çdo ligj tjetër, mund të abrogohet, mund të zëvendësohet”.

“Por kur amendohet duke shkelmuar parimet e funksionimit të administratës shtetërore, duke shkelmuar parimet kushtetuese të ndarjes së pushteteve, kjo përbën një atentat të ri ndaj asaj ndarje pushteti që ka mbetur në letër dhe përpjekje demoniake e Edi Ramës për të futur në duart e tij çdo pushtet që ka mbetur me sadopak autonomi”.

Ai ka vijuar duke thënë se “fusha e veprimit mes forcave të armatosura është një ndarje midis Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit”.

“Në qoftë se i fut këto dinakërisht në ligjin për administratën shtetërore, por që kanë për zot kryeministrin e vendit, ti faktikisht asgjëson këto si institucione kushtetuese dhe merr atribute që Kushtetuta nuk t’i njeh, por që ky nuk e ka për gjë që të marrë policinë ushtarake dhe ta çojë të bllokojë një televizion në një akt antikushtetues. Në një keqpërdorim absolut antikushtetues të forcave të armatosura. Por ka një president që për bëmat e tij dhe gjëmat e tij është i paqenë”.

Scroll to Top