Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
12 dhjetor 2025
Gjykata Kushtetuese do të mblidhet sot, 12 dhjetor, për të vendosur nëse do të shqyrtojë kërkesën e kryeministrit Edi Rama lidhur me vendimin e Gjykatës së Posaçme (GJKKO), që pezulloi nga detyra zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Mbledhja e Gjyqtarëve do të zhvillohet për shkak të kompleksitetit të çështjes, volumit të madh të materialeve dhe agjendës së ngarkuar të gjykatës. Vendimi përfundimtar do të publikohet në faqen zyrtare të institucionit. Më 2 dhjetor, çështja u shqyrtua fillimisht nga një kolegj prej tre gjyqtarësh, të cilët nuk arritën dakordësi (rezultat 2 me 1), ndaj dosja iu kalua Mbledhjes së Gjyqtarëve, ku tetë anëtarët do të marrin vendim me shumicë votash.
Kryeministri Rama kërkon nga Gjykata Kushtetuese zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes ekzekutivit dhe GJKKO-së, duke argumentuar se pezullimi i Ballukut cenon imunitetin kushtetues të anëtarëve të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e përcaktuara nga Kushtetuta.
Ndërkaq, zv/kryeministrja Balluku ka kundërshtuar vendimin, duke apeluar më 26 nëntor ndalimin për të dalë jashtë vendit dhe pezullimin nga detyra, dhe më 2 dhjetor iu drejtua Gjykatës së Apelit për të kundërshtuar vendimin e GJKKO-së.
Kryeministri Rama ka theksuar se ankimi në Gjykatën Kushtetuese është çështje institucionale dhe jo politike. Ai ka paralajmëruar se masa e pezullimit ka krijuar pasoja në funksionimin e ekzekutivit, duke përmendur pamundësinë për të emëruar drejtues të institucioneve kyçe si ARRSH dhe KESH. Rama e ka konsideruar këtë masë si “ndërhyrje e papranueshme në trupin e qeverisë” dhe precedent të rrezikshëm për balancën mes pushteteve.
Belinda Balluku u pezullua nga GJKKO më 20 nëntor dhe i është ndaluar e drejta për të udhëtuar jashtë vendit. Ajo është marrë e pandehur për procedurat e tenderit të tunelit të Llogarasë dhe është nën hetim edhe për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe.

















