Pezullimi i Ballukut i ligjshëm, SPAK zbardh bisedat në Signal për tenderat e Llogorasë dhe Unazës së Madhe

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

24 nentor 2025

Ndërsa Gjykata Kushtetuese ende nuk ka caktuar një datë për shqyrtimin e padisë së kryeministrit, i cili pretendon se gjyqësori ka ndërhyrë në kompetencat e ekzekutivit për pezullimin e një anëtari të kabinetit, gjyqtari i posaçëm kundër korrupsionit paraqet një qëndrim krejt të kundërt. Sipas vendimit të argumentuar nga gjyqtari Erjon Çela, nuk ekziston asnjë pengesë ligjore për të miratuar kërkesën e SPAK për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Gjyqtari i referohet nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale dhe Kodit Zgjedhor, duke theksuar se si funksionarë të zgjedhur konsiderohen deputetët, kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë. Në këtë kuadër, thuhet se masat e vendosura ndaj Ballukut nuk e pengojnë atë të ushtrojë funksionet si deputete në Kuvend.

Dosja përmban detaje mbi dyshimet që lidhen me Ballukun, Gentian Gjylin dhe Erald Elezin, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar në shkeljen e barazisë në tenderat për tunelin e Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe. Dokumentet përfshijnë biseda të zhvilluara përmes aplikacionit Signal, të siguruara nga telefoni i ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi.

Në këto biseda dalin në pah emra deputetësh, si ai i Lefter Gështenjës, për të cilin diskutohet që kompania e tij të mos përfitojë asnjë kontratë, si edhe komunikime për pritjen në takim të biznesmenëve të njohur, përfshirë Ilir Shtufin. Sipas SPAK, përzgjedhja e operatorëve ekonomikë në dy prokurimet publike dyshohet të ketë qenë e paracaktuar.

Në dosje citohet edhe një moment kur Balluku përmend kohën se kur duhen shpallur fituesit e tenderit. Secili prej të pandehurve ka një afat prej pesë ditësh nga marrja e njoftimit për të paraqitur ankimimin në Apelin e Posaçëm lidhur me tre masat e sigurisë të vendosura.

Scroll to Top