Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
19 nentor 2025
Seanca plenare e sotme në Kuvend u tensionua ndjeshëm pas një përplasjeje të ashpër mes kryetarit të Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Debati shpërtheu gjatë fjalës së Ballukut, e cila u ndërpre disa herë nga Shehaj, çka çoi në marrjen e masës disiplinore ndaj tij: heqjen e së drejtës për të folur gjatë gjithë ditës.
Shehaj reagoi menjëherë duke u futur “live” në rrjetet sociale direkt nga salla e Kuvendit, veprim që solli përjashtimin e tij nga seanca. Zëvendëskryeministrja e akuzoi atë se po bënte politikë me “selfie” dhe rrjete sociale, ndërsa Shehaj iu kundërpërgjigj me thirrjen që të “hiqte dorë nga pushteti dhe të përballej me drejtësinë”.
Debati u ashpërsua më tej, ndërsa Balluku deklaroi se opozita e Shehajt bazohej në sulme personale dhe jo në ide, duke e ironizuar atë si “pronari i një call center-i” që nuk mund të bëhet politikan përmes Facebook-ut. Kryesuesi i seancës, Niko Peleshi, e akuzoi Shehajn se po pengonte zhvillimin e punimeve dhe i kërkoi atij të largohej nga salla.
Përplasja mes palëve pasqyroi edhe një herë tensionet politike që kanë shoqëruar punimet e Kuvendit gjatë javëve të fundit.

















