Përmbytjet i kanë kushtuar Shqipërisë 2.5 miliardë dollarë në 30 vite, asnjë përgjegjës para drejtësisë

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

12 janar 2026

Përmbytjet i kanë kushtuar Shqipërisë rreth 2.5 miliardë dollarë në 30 vitet e fundit, por asnjë përfaqësues i institucioneve përgjegjëse për mirëmbajtjen e sistemit hidrik dhe menaxhimin e emergjencave nuk është mbajtur përgjegjës para drejtësisë.

Kostoja ekonomike bëhet publike në një raport të detajuar të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), i cili analizon përgjegjësitë nga niveli qendror deri te pushteti vendor, duke përfshirë Ministrinë e Bujqësisë dhe ndërmarrjet që administrojnë argjinaturat, kanalet kulluese dhe sistemet e kanalizimit.

Gjetjet u publikuan pas auditimit të përmbytjeve të vitit 2024 në Vlorë, gjatë të cilit u shqyrtuan qindra dokumente që lidhen me hartëzimin e riskut, kanalizimet, hidrovorët dhe kontratat e mirëmbajtjes. Raporti evidenton dështime të vazhdueshme në pastrimin e kanaleve kulluese, si dhe mungesë të një strategjie efektive për menaxhimin e riskut nga përmbytjet në nivel kombëtar, e cila sipas KLSH nuk është përshtatur me kushtet e reja klimatike dhe bie në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen civile.

Sipas raportit, 3,285 objekte janë ndërtuar pa leje mbi infrastrukturën ujitëse, kulluese dhe mbrojtëse nga përmbytjet. Probleme të tjera serioze lidhen me mungesën e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me mosmirëmbajtjen kronike të sistemit kullues.

Që nga viti 1990, Shqipëria ka përjetuar tetë përmbytje të rënda, përfshirë ato të viteve 1995, 2002, 2004, 2005, 2010–2011, 2015, 2017, si dhe përmbytjet e fundit në 2021 dhe 2024, të cilat prekën zonat e Shkodrës, Lezhës dhe Vlorës, duke shkaktuar dëme të mëdha në banesa, biznese, tokë bujqësore dhe infrastrukturë rrugore.

Megjithatë, drejtësia ka regjistruar vetëm dy hetime në lidhje me këto emergjenca. I pari lidhet me përmbytjet e Shkodrës në vitin 2010, pas hapjes së digave të hidrocentraleve të Vaut të Dejës, Komanit dhe Fierzës, çështje e cila u pushua pas ekspertizës teknike. Hetimi i dytë, ende në proces nga Prokuroria e Durrësit, ka nisur së fundmi për shkatërrim prone dhe shpërdorim detyre gjatë menaxhimit të përmbytjeve, por deri tani nuk ka persona të dyshuar.

Scroll to Top