Përmbytje dhe rrugë të bllokuara në Durrës, Lezhë dhe Kukës pas reshjeve të dendura të shiut

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

06 janar 2026

Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin që nga mbrëmja e djeshme kanë shkaktuar përmbytje dhe vështirësi të mëdha në qarkullimin rrugor në disa qytete të Shqipërisë.

Durrësi mbetet më i prekur, ku në disa zona si Spitallë, Nishtulla dhe ish-Kënetë (Durrësi i Ri), niveli i ujit ka arritur deri në 50 cm. Rrugët janë pothuajse të pakalueshme në shumë lagje, ndërsa mësimi është pezulluar në shumicën e shkollave. Sipas Zyrës Vendore të Arsimit, prindërit dhe mësuesit janë këshilluar të shmangin lëvizjet deri në qetësimin e situatës.

Aktualisht, 8 familje po evakuohen për shkak të përmbytjes së banesave, 3 prej të cilave nga Shijaku, dhe po strehohen në Konvaleshencën e Ministrisë së Brendshme. Probleme paraqiten edhe në aksin Durrës-Tiranë, ku disa automjete kanë ngecur për shkak të pranisë së ujit.

Edhe në Tiranë, reshjet e dendura kanë shkaktuar trafik të rënduar. Në Lezhë, reshjet e fundit kanë arritur 96 mm gjatë 24 orëve të fundit, duke rritur nivelet e lumenjve Drin dhe Mat dhe duke shkaktuar përmbytje të tokave dhe oborreve.

Kukës, uji ka përmbytur disa segmente rrugore dhe ka dëmtuar rrugët rurale, duke izoluar disa zona. Reshje të dendura kanë nisur edhe në Fier, ku deri më tani nuk ka raportime për dëme.

Për shkak të rritjes së prurjeve në lumin Drin, hidrocentralet HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës po kryejnë shkarkime të kontrolluara, aktualisht me 700 m³/sekondë, duke u monitoruar nga specialistët e hidrocentraleve.

⚠️ Qytetarët këshillohen të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve.

Scroll to Top