Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta
22 shtator 2025
Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka reaguar pas marrjes së detyrës nga Kryeministri Edi Rama dhe të gjithë ministrat e rinj, duke i uruar për fillimin e këtij cikli të ri qeverisës.
Në një reagim në rrjetet sociale, BE-ja theksoi angazhimin për reformat e nevojshme dhe proceset transparente dhe gjithëpërfshirëse si çelësi për arritjen e qëllimeve të përbashkëta për Shqipërinë.
Me këtë reagim, BE i kujton qeverisë “Rama 4”, se opozita duhet të ketë rolin e saj në këtë proces dhe jo të përjashtohet nga diskutimet siç ndodhi në seancën pleanre ku programi i mandatit të 4 u miratua brenda 25 minutash në Kuvend me forcën e kartonit që PS ka në dispozicion.
“Urime Kryeministrit Edi Rama dhe të gjithë ministrave për marrjen e detyrës. Me një përpjekje të qëndrueshme për të miratuar dhe zbatuar reformat e nevojshme përmes proceseve transparente dhe gjithëpërfshirëse, Shqipëria mund të arrijë objektivin ambicioz për të mbyllur negociatat e anëtarësimit në BE deri në fund të vitit 2027,” thuhet në reagimin e BE-së.
Përfaqësuesit e Bashkimit Europian theksuan se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me të gjitha palët shqiptare për të realizuar këtë objektiv të rëndësishëm, i cili përfaqëson një moment historik për vendin dhe qytetarët shqiptarë. Sipas BE-së, ky angazhim i përbashkët është i domosdoshëm për të siguruar një rrugë të qëndrueshme dhe të suksesshme drejt anëtarësimit në BE.
Në këtë periudhë kyçe, BE-ja vazhdon të mbështesë Shqipërinë në përpjekjet e saj për të zbatuar reformat dhe për të konsoliduar demokracinë, shtetin e së drejtës dhe zhvillimin ekonomik.
Ky reagim i Bashkimit Europian pason një periudhë të gjatë bashkëpunimi dhe mbështetjeje për Shqipërinë dhe qeverinë Rama, e cila objektiv kryesor këtë mandat ka përparimin në rrugën e saj drejt integrimit europian.
Kryeministri Edi Rama dhe kabineti i tij qeveritar prej 16 ministrash janë betuar më 19 Shtator përpara Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. Me aktin e betimit nis zyrtarisht puna e qeverisë për të përmbushur objektivat e përcaktuar në programin e saj gjatë 4 viteve të ardhshme.
I fundit që mbërriti në Presidencë ishte Kryeministri Edi Rama, i cili pas himnit, ishte i pari që bëri betimin, ndjekur nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali, Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu dhe të gjithë ministrat e tjerë me radhë.
Pas ceremonisë së betimit dhe fotos familjare në shkallët e Presidencës me Kreun e Shtetit Bajram Begaj, ata lëvizën në këmbë drejt Kryeministrisë ku u realizua fotoja e dytë familjare e qeverisë.
Pas kësaj, qeveria ka vijuar me dyer të mbyllura, me mbledhjen e saj të parë.
Zbatimi i programit qeverisës Rama 4 ka në përbërje një sërë objektivash që nisin me rritjen e pagave dhe pensioneve dhe përfundojnë me anëtarësimin në BE në 2030.
Betimi u zhvillua një ditë pas miratimit të programit dhe përbërjes së qeverisë në Kuvend, miratim i cili u bë në nxitim e sipër për shkak të tensioneve që u krijuan pas fjalimit të “Diellës” në Kuvend.
Programi u miratua me 82 vota të shumicës dhe pa pjesëmarrjen e opozitës. Partia Demokratike i dërgoi një letër dje Kuvendit ku kërkonte përsëritjen e seancës plenare gjatë së cilës u miratua programi qeverisës. Sipas Partisë Demokratike, fakti që Diella mbajti një fjalim në Kuvend ishte në kundërshtim me ligjin dhe provokim për opozitën. Kjo kërkesë nuk do të pranohej, duke i hapur kështu rrugë betimit në Presidencë.

















