Pas suksesit të vitit të kaluar, Gjimnazi i Fushë Kosovës sërish pjesë e Programit të Promovimit të Vlerave Humane (PVH)

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

10 prill 2025

Pas triumfit të vitit të kaluar, Gjimnazi “Hivzi Sulejmani” nga Komuna e Fushë-Kosovës është sërish pjesë e Programit të Promovimit të Vlerave Humane (PVH), organizuar nga Kryqi i Kuq i Kosovës. Ky program synon të angazhojë të rinjtë në projekte me ndikim shoqëror, duke nxitur vlera thelbësore si solidariteti, empatia dhe bashkëpunimi.

Në edicionin e kaluar, ekipi i gjimnazit, në Komunën e Fushë-Kosovës, i udhëhequr nga diseminatorët Majlinda Hykolli-Prebreza dhe Jeton Ismajli, arriti suksesin e madh duke fituar vendin e parë me pesë projekte, përfshirë një projekt interkulturor. Këtë vit, ka kaluar në drejtim të profesoreshës Blenda Fetahu dhe psikologes Arta Hiseni, të cilat po udhëheqin nxënësit me përkushtim në rrugëtimin e tyre për të sjellë ndryshime pozitive në komunitet.

Deri më tani, ekipi ka përfunduar tre punëtori dhe është angazhuar intensivisht në zhvillimin e projekteve të reja, të cilat do të zbulohen pas përfundimit të garës. Për të siguruar fondet e nevojshme për realizimin e tyre, nxënësit kanë organizuar një “Movie Night” me pagesë, si dhe një seri aktivitetesh krijuese, duke shitur kartolina, piktura, rruaza dhe punime artizanale të realizuara prej tyre.

Ky përkushtim ka marrë mbështetje të madhe nga drejtori i gjimnazit, z. Amir Pllana, i cili ka qëndruar krah tyre në këtë rrugëtim. Gjithashtu, promovimi i aktiviteteve po mbështetet nga fotografi Bleart Fetahu, i cili po dokumenton me profesionalizëm momentet kyçe të punës së ekipit.

Me përvojën e fituar dhe energjinë e palodhshme, ekipi i Gjimnazit “Hivzi Sulejmani” është i gatshëm për një tjetër edicion të suksesshëm të PVH, duke dëshmuar edhe një herë rëndësinë e përfshirjes rinore në zhvillimin e komunitetit.

Scroll to Top