Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
08 dhjetor 2025
Një përmbytje e ndodhur më 26 nëntor në bibliotekën e antikiteteve egjiptiane të Muzeut të Luvrit ka shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në qindra libra dhe dokumente historike, disa prej të cilave datojnë që nga fundi i shekullit XIX.
Incidenti u shkaktua nga një rrjedhje uji në sistemin e ngrohjes dhe ventilimit të muzeut, duke rikthyer në vëmendje gjendjen e amortizuar të infrastrukturës së institucionit më të vizituar në botë. Ngjarja vjen pak kohë pas grabitjes së bujshme të bizhuterive, e cila kishte ngritur shqetësime edhe për masat e sigurisë në Luvër.
Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i muzeut, Francis Steinbock, deklaroi për BFMTV se janë dëmtuar “mes 300 dhe 400 materiale”, përfshirë revista, libra referencash dhe botime arkeologjike. Ai theksoi se asnjë nga veprat me vlerë të jashtëzakonshme nuk është humbur. Materialet e prekura janë hequr nga raftet dhe po i nënshtrohen një procesi të kujdesshëm tharjeje, faqe pas faqeje.
Steinbock pranoi se problemi me rrjetin hidraulik ishte i njohur prej kohësh. Zona e prekur bën pjesë në një projekt të gjerë rinovimi të sistemit të ngrohjes dhe ventilimit, i cili pritet të nisë në shtator të vitit 2026.

















