Parisi mbledh udhëheqësit perëndimorë për të ardhmen e Ukrainës

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

06 janar 2026

Zyrtarë nga më shumë se 30 vende perëndimore të të ashtuquajturit “Koalicioni i të Gatshmëve”, që mbështesin Kievin në luftën e tij me Rusinë, do të takohen me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, ndërsa vazhdojnë të përsosin një propozim paqeje që synon t’i japë fund konfliktit më të madh dhe më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në takimin e 6 janarit do të ketë gjithashtu një prani amerikane, me kryenegociatorët e presidentit Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të pranishëm në kryeqytetin francez, megjithëse sekretari i Shtetit, Marco Rubio, nuk ka gjasa të vijë, pavarësisht shpresave në disa kryeqytete evropiane se ai do të merrte pjesë gjithashtu.

Zyrtarë evropianë i thanë Radios Evropa e Lirë se ka “një ndjenjë të ripërtërirë urgjence” pas një takimi gjatë fundjavës të këshilltarëve për sigurinë kombëtare dhe një mbledhjeje të planifikuesve ushtarakë më 5 janar.

Udhëheqësit evropianë shpresojnë që takimi në Paris të shërbejë për të harmonizuar qëndrimet mes SHBA-së, Ukrainës dhe vendeve evropiane lidhur me sigurinë dhe një armëpushim të mundshëm. Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se synon të paraqesë angazhime konkrete për Ukrainën, përfshirë idenë e një force paqeruajtëse ndërkombëtare.

Sipas burimeve diplomatike, po diskutohet dislokimi i 15 deri në 30 mijë trupave, kryesisht nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, ndërsa Turqia mund të ketë rol në sigurimin e korridoreve në Detin e Zi. Megjithatë, mbetet e paqartë se ku do të vendosej kjo forcë dhe cilat do të ishin rregullat e angazhimit në rast të një sulmi rus.

Ndërkohë, BE-ja dhe Ukraina presin garanci më të forta sigurie nga SHBA-ja, përfshirë mbështetje logjistike dhe të inteligjencës. Negociatat për paqe vazhdojnë, por çështje kyçe si lëshimet territoriale dhe statusi i centralit bërthamor të Zaporizhias mbeten ende të pazgjidhura, ndërsa Rusia vijon të mbajë një qëndrim të ashpër.

Scroll to Top