Parandalohen dy raste kontrabandë përgjatë kufirit Maqedoni e Veriut, Serbi

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

18 gusht 2025

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën, ka parandaluar dy raste të ndara të kontrabandimit me mallra, si rezultat i intensifikimit të kontrolleve taktike dhe operacionale në zonat kufitare.

Sipas një njoftimi zyrtar, më 17 gusht 2025, Njësia e Taskforcës – Lindje, e përbërë nga pjesëtarë të Policisë dhe Doganës së Kosovës, ka ndërhyrë pas marrjes së informatave operative lidhur me një automjet të dyshuar me targa vendore që transportonte mallra të kontrabanduara nga Maqedonia e Veriut në Kosovë. Automjeti është ndaluar dhe kontrolluar nga njësitë policore.

“Gjatë kontrollit të automjetit, pronë e një të dyshuari mashkull kosovar, janë gjetur mallra të ndryshme, përfshirë tekstile, pajisje elektronike, veshmbathje sportive dhe bizhuteri, të cilat ishin futur në territorin e Kosovës në mënyrë të paligjshme dhe pa dokumentacion përkatës”, thuhet në njoftim.

I dyshuari, së bashku me automjetin dhe mallrat e sekuestruara, është shoqëruar në terminalin doganor. Vlera e përgjithshme e mallrave të kontrabanduara kap shifrën mbi 2,000 euro. Rasti po trajtohet nga njësitë kompetente të Doganës së Kosovës.

Në një rast tjetër, po më 17 gusht, njësitet policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare – Lindje, konkretisht SPMK Muqivërcë, kanë ndërmarrë veprime pas marrjes së informatave për një tjetër tentativë kontrabande nga territori i Serbisë në drejtim të Kosovës.

Operacioni policor është zhvilluar në fshatin Lisock të Kamenicës, ku është ndaluar një automjet me targa vendore, i dyshuar për transport të mallrave të kontrabanduara. Gjatë kontrollit, brenda automjetit janë gjetur rreth 1,500 kilogramë speca, për të cilat drejtuesi nuk posedonte asnjë dokument të origjinës apo të zhdoganimit.

Me urdhër të prokurorit kujdestar është iniciuar procedura penale, ndërsa malli i kontrabanduar është dorëzuar në Doganën e Kosovës.

Policia e Kosovës rithekson përkushtimin e saj për të parandaluar dhe luftuar të gjitha format e kriminalitetit, me fokus të veçantë në luftimin e kontrabandës në zonat kufitare.

Scroll to Top