Para “për të hyrë mik te gjyqtari”, SPAK dërgon për gjykim ish-Audituesin e KLSH-së dhe bashkëpunëtoren e tij

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

06 gusht 2025

9Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas përfundimit të hetimeve, dërgoi gjykim më 05.08.2025, procedimin penal, nr.229/1 viti 2021 në ngarkim të të pandehurve:

1.Bardhi Koçi, i akuzuar për veprën penale, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, (tre episode) parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 i Kodit Penal.

2.Pranvera Meshi, e akuzuar për veprën penale, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 i Kodit Penal.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me datë 27.08.2021, mbi bazën e akteve të dërguara nga Policia Gjyqësore ka regjistruar procedimin penal nr.229, për veprat penale, “Ushtrim i ndikimit te paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim të detyrës”, të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 248 të  Kodit Penal.

Në vijim të hetimeve për këtë procedim penal, përmes aplikimit të metodave speciale të hetimit është dokumentuar kryerja e veprës penale, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer nga shtetasit Pranvera Meshi dhe Bardhi Koçi.

Shtetasja Pranvera Meshi, në kohën e kryerjes së veprës penale po gjykohej në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e akuzuar për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve shëndetësore”, parashikuar nga neni 188/1 i Kodit Penal.

Shtetasi, Bardhi Koçi, me profesion avokat (i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ishte  i punësuar  me detyrë Auditues në Kontrollin e Lartë të Shtetit) ka kërkuar nga shtetësja Pranvera Meshi, shumën prej 1500 (një mijë e pesëqind) euro dhe ka marrë prej saj në formën e përfitimit të parregullt, shumën paraprake prej 1000 (një mijë) eurosh, me qëllim ushtrimin e ndikimit në vendimmarrjen e gjyqtarit, i cili po shqyrtonte çështjen në ngarkim të saj.

Shtetasi, Bardhi Koçi, ka kërkuar nga shtetasi A.M., shumën prej 1300 (një mijë e treqind) eurosh, me qëllim ushtrimin e ndikimit tek dy funksionarë të sistemit të drejtësisë, me qëllim përshpejtimin e seancës gjyqësore për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj shtetases N.M., e arrestuar për veprën penale, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, e parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.

Scroll to Top