OSBE- ODIHR publikon raportin për 11 majin: Kandidatët e partisë në pushtet patën avantazh të padrejtë

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

23 tetor 2025

Raporti i OSBE/ODIHR i cilëson si konkurruese por të polarizuara zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti. Pesë muaj pas përfundimit të tyre vëzhguesit e Misionit theksojnë se garuesit gjithsesi nuk patën mundësi të barabarta gjatë fushatës elektorale.

Raporti vlerëson pozitivisht procesin e votimit në Diasporë, por thekson se partia në pushtet pati avantazh me përdorimin e burimeve të administratës gjatë fushatës.

Në të njëjtën kohë vëzhguesit ndalen edhe në ditën e zgjedhjeve ku jepet vlerësim pozitiv për procesin në 95% të qendrave të votimit, ndërkohë që vihet theksi edhe te presioni ndaj zgjedhësve.

Pjesë nga raporti

Pas një ftese për të vëzhguar zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 dhe në përputhje me mandatin e saj, Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) ngriti një Mision të Vëzhgimit të Zgjedhjeve (EOM) më 2 prill. Misioni, i udhëhequr nga ambasadori Lamberto Zannier, përbëhej nga një ekip bazë me 12 anëtarë të vendosur në Tiranë dhe 26 vëzhgues afatgjatë (LTO), të cilët u shpërndanë në të gjithë vendin më 10 prill.

Misioni i ODIHR-it qëndroi në Shqipëri deri më 22 maj për të ndjekur zhvillimet paszgjedhore. Për ditën e zgjedhjeve, EOM e ODIHR-it u bashkua me delegacionet nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së (OSCE PA), Parlamenti Evropian (EP) dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE), për të formuar një Mision Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve (IEOM.

Scroll to Top