Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
09 janar 2026
OpenAI ka lançuar në SHBA një funksion të ri, ChatGPT Health, i cili mund të analizojë të dhënat mjekësore dhe ato nga aplikacione si MyFitnessPal për të ofruar këshilla të personalizuara për përdoruesit. Sipas kompanisë, bisedat në këtë seksion ruhen veçmas dhe nuk përdoren për të trajnuar modelet e inteligjencës artificiale, ndërsa nuk synojnë të zëvendësojnë diagnozën apo trajtimin mjekësor.
Aktivistët për privatësi, si Andrew Crawford nga Qendra për Demokraci dhe Teknologji, paralajmërojnë se të dhënat shëndetësore janë shumë të ndjeshme dhe duhet të mbrohen me masa hermetike. Ai theksoi se ndërsa OpenAI po eksploron mundësi reklamimi dhe personalizimi të shërbimeve, ndarja midis të dhënave shëndetësore dhe bisedave të tjera duhet të jetë e qartë dhe e sigurt.
OpenAI tha se çdo javë më shumë se 230 milionë persona i bëjnë pyetje chatbot-it të saj mbi shëndetin dhe mirëqenien, ndërsa funksioni i ri është i disponueshëm fillimisht për një grup të vogël përdoruesish të hershëm, me listë pritjeje për të tjerët. Megjithatë, ChatGPT Health nuk është ende i disponueshëm në Mbretërinë e Bashkuar, Zvicër dhe Zonën Ekonomike Evropiane, për shkak të rregullave të rrepta mbi mbrojtjen e të dhënave.
Max Sinclair, drejtor i platformës së marketingut të inteligjencës artificiale Azoma, e cilësoi lansimin si një “moment vendimtar” që mund të riformësojë mënyrën se si njerëzit qasen në informacionin mjekësor dhe shërbimet për kujdesin ndaj pacientit, duke sjellë një avantazh konkurrues për OpenAI ndaj rivalëve si Google Gemini.
















