Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
11 shkurt 2026
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se ka vendosur një rritje shtesë prej 9% të tarifave doganore ndaj Zvicrës, duke e çuar nivelin e tyre në 39%, pasi nuk i pëlqeu mënyra se si një zyrtare zvicerane i ishte drejtuar gjatë një telefonate ku kërkonte tërheqjen e masave.
Në një intervistë për Fox Business, Trump tha se mori një telefonatë urgjente nga Karina Keller-Sutter, anëtare e Këshillit Federal të Zvicrës, të cilën ai e quajti gabimisht “kryeministre”. Sipas tij, ajo ishte “e sjellshme, por shumë agresive” dhe këmbëngulte që SHBA të mos vendoste tarifën 30% ndaj Zvicrës, duke theksuar se vendi i saj është i vogël dhe nuk mund ta përballojë një masë të tillë.
“Vendosa një tarifë 30%, që është shumë e ulët. Pastaj mora një telefonatë urgjente nga, mendoj, Kryeministrja e Zvicrës. Ajo përsëriste vazhdimisht se janë një vend i vogël dhe nuk mund ta bëjnë këtë. Nuk arrija t’ia mbyllja telefonin”, u shpreh Trump.
Ai pretendoi se i kishte thënë zyrtares se, pavarësisht madhësisë së Zvicrës, vendi ka një deficit tregtar prej 42 miliardë dollarësh me SHBA-në. Sipas Trump, për shkak të mënyrës se si ajo foli gjatë telefonatës, ai vendosi jo vetëm të mos ulte tarifën, por ta rriste atë në 39%.
Trump gjithashtu deklaroi se Zvicra nuk paguan tarifa doganore ndaj produkteve amerikane, ndërsa eksporton në Shtetet e Bashkuara në nivele shumë të larta.
Deklarata të ngjashme ai kishte bërë edhe më herët gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, ku shprehu paqartësi nëse Zvicra ka kryeministër apo president, duke iu referuar sërish zyrtares si “kryeministre” apo “presidente”.
Në fakt, Zvicra nuk ka as kryeministër dhe as president me kompetenca ekzekutive. Shteti drejtohet nga një Këshill Federal me shtatë anëtarë, i cili funksionon në mënyrë kolegjiale.
















