Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
27 gusht 2025
Duket se të gjithë po flasin për fejesën e çiftit më të famshëm të momentit të Amerikës, këngëtaren Taylor Swift dhe futbollistin, Travis Kelce. Madje edhe presidenti Donald Trump.
Ai ndodhej në një takim të Kabinetit kur doli lajmi dhe gjatë konferencës me gazetarët, u pyet nëse kishte diçka për t’ju thënë.
“Uroj shumë fat për ta. Mendoj se ai është një lojtar i shkëlqyer, një djalë i mrekullueshëm. Mendoj se dhe ajo është një person i jashtëzakonshëm. Prandaj, u uroj shumë fat.“, tha Trump.

Presidenti amerikan ka qenë shpesh i përfshirë në sport gjatë kohës si president dhe e ka parë shumë herë Kelce-n duke luajtur në “Super Bowl”. Megjithatë, marrëdhëniet e tij me këngëtaren Taylor Swift kanë qenë më të tensionuara, madje një herë shkroi në rrjetet sociale se e urren atë pasi mbështeti kundërshtaren e tij demokrate Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar. Postimi i tij “E urrej Taylor Swift-in” asokohe qe bërë viral.
Para se Swift të bënte publike qëndrimin e saj për zgjedhjet, Trump përpiqej ta fitonte simpatinë e saj duke thënë: “Më pëlqen i dashuri i saj, Travis, edhe pse mund të jetë liberal dhe ndoshta nuk më duron dot!”