Njihuni me djalin që gjurmon cisternat e paligjshme të naftës nga çatia e tij

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

19 janar 2026

Ndërsa shumica e njerëzve e kalojnë kohën e lirë duke parë seriale, Remy Osman ka zgjedhur një pasion të pazakontë: gjurmimin e cisternave të ndryshkura që transportojnë naftë të paligjshme përmes një prej korridoreve më të rëndësishme detare në botë.

Nga çatia e pallatit ku jeton në Singapor, emigranti britanik dokumenton lëvizjet e anijeve të ashtuquajtura “flota në hije” – cisterna të vjetra, shpesh të sanksionuara nga SHBA-ja dhe vendet perëndimore, që përdoren për transportimin e naftës për vende të izoluara si Rusia, Irani dhe Venezuela. Pamjet dhe analizat e tij i ndan me një audiencë gjithnjë në rritje në rrjetet sociale.

Flotat në hije, të njohura edhe si flota fantazmë, përdorin taktika të ndryshme për t’iu shmangur kontrollit ndërkombëtar, përfshirë ndryshimin e shpeshtë të flamurit, fikjen e sistemeve të identifikimit, manipulimin e të dhënave të pozicionit dhe transferimin e ngarkesave në det të hapur. Të ardhurat nga kjo veprimtari janë shndërruar në një burim të rëndësishëm financimi, veçanërisht për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Ngushtica e Singaporit, për shkak të pozicionit të saj strategjik që lidh Oqeanin Indian me Detin e Kinës Jugore, është një nga pikat kryesore të tranzitit për këto anije. Çdo vit, rreth 100 mijë anije kalojnë nëpër këtë rrugë ujore, duke transportuar afërsisht një të tretën e tregtisë globale.

Për Osmanin, kjo e bën Singaporin vendin ideal për të vëzhguar flotat në hije. Afërsia e ngushticës me qytetin i lejon atij të identifikojë cisterna vetëm me telefonin e tij, duke kombinuar pamjet vizuale me të dhëna nga aplikacionet e gjurmimit të anijeve dhe listat e sanksioneve ndërkombëtare.

Sipas firmës analitike Kpler, flota globale në hije përbëhej nga rreth 3,300 anije në fund të vitit 2025, duke përfaqësuar 6–7% të flukseve globale të naftës bruto. Vetëm gjatë vitit 2025, përmes këtyre flotave u transportua naftë me vlerë mbi 100 miliardë dollarë.

Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar së fundmi masat kundër këtyre anijeve, duke sekuestruar cisterna të sanksionuara dhe duke paralajmëruar zbatim më të rreptë të embargos. Një nga rastet më të fundit ishte sekuestrimi i cisternës “Bella 1”, e cila tentoi t’i shmangej autoriteteve amerikane gjatë një ndjekjeje 18-ditore.

Megjithatë, autoritetet e Singaporit pranojnë se mundësitë për ndërhyrje janë të kufizuara, pasi Ngushtica e Singaporit dhe ajo e Malakës konsiderohen rrugë ujore ndërkombëtare, ku anijet gëzojnë të drejtën e kalimit tranzit sipas Konventës së OKB-së për Ligjin e Detit.

Pavarësisht kësaj, vëzhgues si Remy Osman vazhdojnë të hedhin dritë mbi një industri të errët që vepron në kufijtë e ligjit ndërkombëtar, duke e bërë atë të dukshme për publikun global.

Scroll to Top