Nga pasuritë minerale tek projektet në naftë dhe gaz/ Shtatë pikat kyçe të marrëveshjes midis Ukrainës dhe SHBA-së

Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta

02 maj 2025

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ukraina kanë nënshkruar një marrëveshje, sipas së cilës Uashingtoni do të ketë qasje në disa nga burimet natyrore të vendit të shkatërruar nga lufta.

Marrëveshja, e cila është përgatitur për muaj me radhë, krijon një fond investimesh rinovimi, për të cilin Ukraina beson se do të forcojë mbështetje amerikane në vitin e tretë të rezistencës ndaj agresionit rus.

BBC ka pasur qasje në draftin e marrëveshjes, por jo në versionin e saj përfundimtar. Bazuar në këtë draft dhe në deklaratat nga Kievi dhe Uashingtoni, këto janë shtatë pikë kyçe.

1. Ukraina nuk do të duhet të kthejë asnjë borxh ndaj SHBA-së

Presidenti amerikan, Donald Trump kërkoi më parë që Ukraina të kthejë 350 miliardë dollarë, sa është, sipas tij, ndihma ushtarake dhe financiare amerikane që nga fillimi i luftës. Këtë kërkesë  e refuzoi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Por, duket se Uashingtoni ka bërë një kompromis. Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal deklaroi se marrëveshja nuk parashikon asnjë detyrim për shlyerjen e “borxhit” të pretenduar.

Megjithatë, Trump e paraqiti marrëveshjen si një fitore për palën e tij, duke thënë se SHBA-ja “në teori do të marrë shumë më tepër” sesa administrata e mëparshme ka investuar në ndihmën për Ukrainën.

2. SHBA përdor një gjuhë më të ashpër ndaj Rusisë

Administrata amerikane përdori një gjuhë shumë më të ashpër se sa ka ndodhur deri tani në deklaratat e qeverisë Trump.

Në një njoftim të Ministrisë amerikane të Financave thuhet se bëhet fjalë për një “pushtim total rus” dhe shtohet se “asnjë shtet apo individ që ka financuar ose furnizuar makinerinë ushtarake ruse nuk do të përfitojë nga rinovimi i Ukrainës”.

Ky ton pritet të inkurajojë Kievin, i cili në negociatat mes Moskës dhe Uashingtonit ka insistuar për një presion më të madh ndaj Rusisë.

3. Marrëveshja përfshin edhe projekte në naftë dhe gaz

Edhe pse shumë po flitet në publik për pasuritë minerale të Ukrainës, marrëveshja përfshin edhe projekte të reja të lidhura me naftën dhe gazin, si dhe infrastrukturën përkatëse.

Në të gjitha rastet, pronat mbi burimet mbeten në duar të Ukrainës, edhe pse SHBA do të ketë qasje të përbashkët.

Kjo shihet si një lehtësim i qëndrimit të mëparshëm të Ukrainës, pasi elemente të tillë nuk ishin pjesë e versione të para të marrëveshjes.

4. Marrëveshja nuk pengon anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian

Ukraina tashmë për shumë vite synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe negociatat janë hapur formalisht në qershor të vitit të kaluar.

Ishte shqetësuar se marrëveshja me Uashingtonin mund të pengonte anëtarësimin në BE, sidomos nëse investitorët amerikanë do të fitonin status të privilegjuar, duke pasur parasysh që Ukraina tashmë ka një partneritet strategjik me Brukselin për burimet natyrore.

Marrëveshja gjithashtu parashikon që, nëse Ukraina do të ketë nevojë të rishikojë kushtet për shkak të detyrimeve të anëtarësimit, SHBA është dakord të negociojë “me mirëbesim”.

Kievit gjithashtu iu është thënë se SHBA do të mbështesë kalimin e investimeve dhe teknologjisë nga BE-ja dhe shtetet e tjera.

5. Fitimet e dhjetë viteve të para do të ri-investohen në Ukrainë

Sipas marrëveshjes, gjatë dhjetëvjeçarit të parë të funksionimit të fondit për rinovimin, të gjithë fitimet e realizuara do të ri-investohen plotësisht në ekonominë ukrainase.

Kjo mund të ketë një rëndësi të madhe nëse konfirmohet që SHBA-të gjatë dhjetë viteve të para nuk do të përfitojnë drejtpërdrejt financiarisht. Ukraina pret që të gjitha të ardhurat nga fondi të drejtohen në rinovimin e vendit dhe projekte të reja.

Scroll to Top