Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
05 dhjetor 2025
Gjatë turit të foltores në Mirditë, ish-kryeministri Sali Berisha u përball me disa pyetje të drejtpërdrejta nga qytetarët. Një prej tyre e akuzoi kreun e PD-së se “është rrethuar me servilë”, ndërsa kërkoi më shumë angazhim të strukturave të partisë në Lezhë.
“Quaji si të duash, por ata që janë bashkuar me mua nuk kanë përfituar asnjë privilegj,” u përgjigj Berisha, duke theksuar se përpjekjet për ta larguar nga skena politike nuk kanë pasur sukses.
Qytetari kërkoi ndërhyrjen e Berishës për aktivizimin e drejtuesve lokalë të PD-së, duke shtuar se anëtarësia në Lezhë “është pa kryetar” dhe se ka nevojë për udhëheqje më të pranishme në terren.
Në reagimin e tij, Berisha kujtoi periudhën kur nuk ishte në drejtim të partisë, duke thënë se edhe atëherë ka bërë opozitë të fortë. Ai u ndal te vendimet që e rikthyen në krye të PD-së, duke theksuar se sipas tij, masat e ndërmarra kundër tij nga mazhoranca kishin për qëllim “t’i mbyllnin gojën”.
“Vendosa të reagoj sepse më prekën në dinjitet. Kur pashë që synonin të kontrollonin PD-në, nuk mund ta pranoja. Ishte vendimi më i rëndësishëm pas atij të viteve të para, kur dola kundër regjimit të asaj kohe,” u shpreh Berisha.
Ai theksoi se rikthimi i tij nuk erdhi për të krijuar favore për njerëzit që i janë bashkuar, por për të mbrojtur, sipas tij, interesin publik dhe pavarësinë e Partisë Demokratike. Berisha shtoi se sistemi zgjedhor nuk ishte i njëjtë në kohën kur ai dorëzoi pushtetin, duke nënkuptuar se rrethanat politike kanë ndryshuar ndjeshëm.

















